Prefekti i Tiranës dhe ish-prokurori Shkëlqim Hajdari e ka cilësuar qesharak vendimin e Dhomave të Specializuara në Hagë, ku 4 ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi dhe Kadri Veseli u dënuan me 81 vite burg në total.
Në një lidhje live për Report Tv, Hajdari deklaroi se të gjitha provat me të cilat është furnizuar Gjykata Speciale janë depozituar nga Prokuroria dhe Agjencitë Speciale të Serbisë.
“Në lidhje me pretendimet se përse pranoi Thaçi ngritjen e Gjykatës së Posaçme, përgjigja është e qartë, ose një gjykatë nën kurorën e OKB-së, ku anëtare në Këshillin e Sigurimit janë edhe Kina e Rusia, ose një gjykatë nën kurorën e Kosovës. Ky është një vendim qesharak, sepse të gjitha provat e servirura janë prova të servirura nga Prokuroria dhe Agjencitë Speciale të Serbisë”, shtoi Hajdari.
Ai sqaroi gjithashtu se edhe nëse ish-Presidenti Hashim Thaçi nuk do të kishte pranuar ngritjen e Gjykatës Speciale, ajo do të ngrihej gjithsesi nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së, ku janë anëtare edhe Rusia dhe Kina.
Sipas Hajdarit, e gjithë kjo çështje e ka zanafillën tek një akuzë e pabazë, e cila më pas rezultoi e pavërtetë.
“Kjo çështje ka filluar me një akuzë qesharake të Dick Martin, që bënte fjalë për transplant organesh në territorin e Republikës së Shqipërisë. Ky ka qenë objekti në bazë të të cilit u kërkua ngitja e një gjykate të posaçme. Ajo ishte një përrallë e madhe. E gjithë historia 6 vjeçare është ndjekur nga ana ime dhe sot është momenti që kudo ku ka shqiptarë të flasim pa dorashka”, tha mes të tjerash Hajdari.
