Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka reaguar sërish pas aktgjykimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë ndaj ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, të cilët u dënuan me një total prej 81 vitesh burgim për vepra penale që lidhen me arrestimin dhe ndalimin e paligjshëm ose arbitrar, trajtimin mizor, torturën dhe vrasjet e paligjshme.
Në një konferencë për mediat, Vuçiç u shpreh i pakënaqur me vendimin, duke argumentuar se, sipas tij, ish-krerët e UÇK-së nuk janë dënuar për krime ndaj njerëzimit.
Gjatë fjalës së tij, presidenti serb iu referua në mënyrë të detajuar reagimeve të zyrtarëve të lartë politikë nga rajoni pas shpalljes së aktgjykimit. Vuçiç tha se kishte planifikuar deklaratën e tij për në orën 18:30, në mënyrë që të priste reagimet e liderëve të ndryshëm përpara se të dilte publikisht.
Ai nisi me reagimin e Presidentit të Shqipërisë, Bajram Begaj, duke iu referuar deklaratës së tij në lidhje me vendimin e Hagës.
“Imagjinoni sikur një nga zyrtarët tanë të thoshte: ‘Liria ka një emër’ dhe të përmendte ndonjë serb të dënuar nga Tribunali i Hagës”, tha Vuçiç.
Më tej, ai përmendi edhe reagimin e kryeministrit shqiptar, Edi Rama, i cili pas shpalljes së vendimit publikoi fjalën “turp” në rrjetet sociale.
Deklarata bëhet në minutën 11:24.
Presidenti serb iu referua edhe reagimeve nga Prishtina, duke cituar kryeministrin Albin Kurti, i cili e cilësoi aktgjykimin si “padrejtësi të papranueshme” dhe “dënim të rëndë”, ndërsa deklaroi se vendimi duhet të ndryshohet gjatë procesit të apelit.
Një pjesë të veçantë të deklaratës së tij Vuçiç ia kushtoi zëvendëskryeministrit të Malit të Zi, Nik Gjeloshaj. Ky i fundit e kishte cilësuar vendimin e Hagës “jashtëzakonisht të padrejtë” dhe kishte deklaruar se “çdo shqiptar e mban në zemër luftën e shenjtë të UÇK-së”. Gjeloshaj kishte shprehur gjithashtu bindjen se vendimi mund të ndryshohet në instancat më të larta gjyqësore.
Duke iu referuar kësaj deklarate, Vuçiç ngriti pyetjen nëse qëndrime të tilla mund të kenë pasoja në procesin e integrimit evropian të Malit të Zi.
“A do ta ndalojnë integrimin evropian sepse e fyejnë vendimin, e mohojnë sundimin e ligjit? Apo kjo vlen vetëm për serbët?”, pyeti presidenti serb.
Vuçiç përmendi gjithashtu reagimet e disa politikanëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, mes tyre Bekim Sali, kryetari i Kuvendit Afrim Gashi dhe lideri i BDI-së, Ali Ahmeti. Ky i fundit e cilësoi vendimin e Hagës si të padrejtë dhe thellësisht zhgënjyes.
“Dhe unë mendova se ata janë kriminelë, të paktën të dënuar në shkallën e parë. Jo, të gjithë janë çlirimtarë, heronj dhe heroinat”, u shpreh Vuçiç, duke iu referuar reagimeve të zyrtarëve shqiptarë.
Në konferencën e tij, presidenti serb foli edhe për qëndrimin e diplomacisë kroate. Sipas Vuçiçit, Zagrebi, ndërsa deklaroi se “e merr në dijeni” vendimin e gjykatës, njëkohësisht theksoi qëndrimin e tij lidhur me kontekstin politik dhe historik të luftës në Kosovë.
Në përfundim, Vuçiç argumentoi se reagimet e ndryshme ndaj aktgjykimit tregojnë, sipas tij, ekzistencën e standardeve të ndryshme në trajtimin e serbëve dhe popujve të tjerë të ish-Jugosllavisë.
“Serbët duhet të jenë kriminelë në çdo njoftim, në çdo deklaratë”, deklaroi presidenti i Serbisë.


