Protesta e 109-të kundër qeverisë është mbyllur pas disa orësh marshimi në rrugët e Tiranës, ku qytetarët dhe aktivistët përsëritën thirrjet për largimin e kryeministrit Edi Rama.
Tubimi i kësaj të mërkure nisi në sheshin “Skënderbej” dhe vijoi drejt Kryeministrisë. Pas fjalimeve të mbajtura para godinës së qeverisë, protestuesit rinisën marshimin në rrugët e kryeqytetit, duke shoqëruar lëvizjen me thirrje dhe slogane kundër qeverisë.
Një pjesë e fjalimeve iu kushtua edhe vendimit të Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së. Protestuesit shprehën solidaritetin e tyre dhe gjatë tubimit u dëgjuan edhe thirrjet “UÇK, UÇK”.
Në fjalimet e protestës, Vatnikaj u bëri thirrje qytetarëve për qëndresë të vazhdueshme në rrugë, ndërsa konfirmoi se revoltës do t’i bashkohet nesër në orën 10:00 bllokimi i Kuvendit të Shqipërisë.
Në fjalimet e protestës u kërkua dorëheqja e panegociueshme e kryeministrit Rama, ndërsa aktivistët deklaruan se protesta do të vijojë edhe në ditët në vazhdim.
Protesta e sotme shënoi ditën e 109-të të këtij aksioni qytetar në Tiranë.













