Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, ka reaguar në rrjetet sociale për dënimin e katër krerëve të UÇK-së, ku ka postuar foton e një të riu, i cili është i veshur me uniformën ushtarake.
Përmes një postimi në Facebook, Bardhi shprehet se Kosova është e lirë falë atyre që luftuan dhe dhanë jetën për lirinë, në jemi sot krenar për ta. Ai e cilëson vendimin “thellësisht të padrejtë dhe të pamerituar”, duke u shprehur se gjykata rrëzoi akuzat për krimet kundër njerëzimit.
Gjithashtu ai shpreh se asnjë vendim gjykate nuk mund të ndryshojë historinë apo të errësojë karakterin çlirimtar të luftës së popullit të Kosovës. Si dhe ka vlerësuar kontributin e Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit që ishin përfaqësues dhe drejtues të UÇK-së.
"Mos u mërzit, vëllai i vogël! Kosova është e lirë falë atyre që luftuan e dhanë jetën për lirinë. Ne jemi krenarë për ta! Historia është shkruar, ajo nuk mund të ndryshohet me vendime të padrejta. Kokën lart, shqiptar! Sot është një ditë e rëndë për Kosovën dhe për mbarë kombin shqiptar. Partia Demokratike e Shqipërisë shpreh solidaritetin e plotë me qytetarët e Kosovës, me familjet e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, si dhe me të gjithë ata që luftuan për lirinë e Kosovës.
Vendimet e shkallës së parë janë thellësisht të padrejta dhe të pamerituara. Gjykata rrëzoi akuzat për krime kundër njerëzimit. Vendimet e saj u mbështetën në përgjithësime dhe pretendime që prej vitesh përdoren nga propaganda e Beogradit kundër UÇK-së.
Asnjë vendim gjykate nuk mund ta rishkruajë historinë, të barazojë viktimën me agresorin apo të errësojë karakterin çlirimtar të luftës së popullit të Kosovës. Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi ishin përfaqësues dhe drejtues të UÇK-së. Ata dhanë një kontribut të jashtëzakonshëm në mbrojtjen e popullsisë civile nga gjenocidi serb dhe në çlirimin e Kosovës.
Është koha për unitet kombëtar, maturi dhe vetëpërmbajtje. Në asnjë rrethanë emocionet nuk duhet të cenojnë rendin, qetësinë dhe stabilitetin e Kosovës. Çdo akt dhune do të ishte i papranueshëm dhe në dëm të Kosovës", shkruan Bardhi.
