Kuvendi në seancë plenare, pesë interpelanca urgjente! Kalon për votim drafti i PS për pagat në drejtësi

Kuvendi do të mblidhet këtë të enjte në orën 10:00 për zhvillimin e seancës së radhës plenare. Punimet do të nisin me miratimin e procesverbalit të seancës së 8 shtatorit, ndërsa më pas deputetët do të zhvillojnë pesë interpelanca urgjente të kërkuara nga një grup deputetësh të opozitës.
Në fokus të interpelancave do të jenë disa prej ministrive kryesore, përfshirë Mjedisin, Punët e Brendshme, Arsimin, Shëndetësinë dhe Infrastrukturën dhe Energjinë. Një prej interpelancave është kërkuar nga deputeti Blendi Himçi me ministrin Enea Karakaçi.
Në rend dite është edhe ndryshimi i ligjit për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, i cili kërkon shumicë të cilësuar votash.
Gjithashtu pritet që deputetët e Kuvendit të Shqipërisë të mbajnë një qëndrim lidhur me vendimin e Gjykatës special të Hagës, e cila ditën e djeshme dënoi me 81 vite burg 4 ish-krerët e UÇK-së.
Në përfundim, do të votohen tre projektvendime që lidhen me përbërjen dhe anëtarësinë e komisioneve të përhershme të Kuvendit. Seanca do të mbyllet me diskutime për çështje jashtë rendit të ditës.




