U kapën duke transportuar drogë, arrestohen tre të rinj në Qafë-Thanë

Tre persona janë arrestuar nga policia e Korçës në përfundim të një operacioni antidrogë.
Operacioni u zhvillua mbrëmjen e së mërkurës nga Strukturat e Hetimit të Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë.
Sipas informacioneve, tre të rinj, dy prej tyre nga Tirana dhe një nga Lezha, kanë rënë në pranga pasi janë kapur duke transportuar lëndë narkotike cannabis sattiva.
Burime bëjnë me dije se tre të rinjtë udhëtonin së bashku në një automjet ndërsa gjatë ndalimit të tyre në afërsi të Qafë Thanës, brenda automjetit u gjet një sasi droge e vendosur në pjesën e bagazhit.
Mësohet se sasia e drogës është rreth 6 kg ndërkohë që pasagjerit iu gjet edhe një qese e vogël në xhep.
Në cilësinë e provës materiale janë u sekuestrua mjeti me të cilin lëviznin të rinjtë, shuma parash në euro dhe lek dhe aparate celulare.
Në pranga ranë shtetasit S.T., J.H., nga Tirana, përkatësisht 27 dhe 26 vjeç dhe B.H., nga Lezha 25 vjeç. Vijojnë hetimet nga ana e policisë për zbardhjen e plotë të rrethanave, për të zbuluar nëse ka dhe persona të tjerë të përfshirë.




