Art & Kulturë Bota

Të paguhesh për të lexuar, kjo po ndodh në Singapor!

Singapori po i nxit qytetarët e tij të marrin një libër dhe të lexojnë për 15 minuta në ditë, në kuadër të një programi të ri kombëtar 5-vjeçar që synon të luftojë “brain rot”-in, mpirjen mendore nga konsumimi i tepërt i përmbajtjeve të shkurtra dhe sipërfaqësore, si dhe të forcojë kulturën e leximit në vend.

Qeveria thotë se qytetarët mund të regjistrojnë kohën që kalojnë çdo ditë duke lexuar dhe të fitojnë shpërblime virtuale në kuadër të fushatës ReadSG nga Bordi Kombëtar i Bibliotekave në fillim të këtij muaji.

Qytetarët e interesuar mund të hyjnë në faqen e internetit ose në aplikacionin celular të programit për të regjistruar arritjet e tyre në lexim.

Gjithçka që duhet janë 15 minuta në ditë për të krijuar zakonin e leximit. Kjo është afërsisht koha që duhet për të përshkuar tri stacione me tren, koha e pritjes së autobusit ose koha që kaloni duke shijuar kafenë e mëngjesit.

Momente të vogla mund të shndërrohen në histori të mëdha. Zbuloni se ku mund t’ju çojnë 15 minuta lexim në ditë!

Faqja e qeverisë shpjegon gjithashtu mënyrën se si lexuesit mund të marrin pjesë në fushatën e leximit.

Melissa Tam, drejtuese e Bordit Kombëtar të Bibliotekave, tha se fushata është një përpjekje për t’i ndihmuar lexuesit të orientohen në botën e sotme, duke zhvilluar aftësitë që burojnë nga leximi i teksteve të gjata.

Ndërsa përmbajtjet e shkurtra na ndihmojnë të qëndrojmë të informuar, leximi i teksteve të gjata forcon përqendrimin, mendimin kritik dhe imagjinatën.

Çdo seancë leximi prej të paktën 15 minutash shpërblehet me 20 monedha virtuale, ndërsa 1,000 monedha vlejnë një dollar.

Loh Chin Ee nga Instituti Kombëtar i Edukimit e përshkroi kthimin e leximit në një aktivitet të ngjashëm me lojën, me shpërblime dhe objektiva, si dhe shndërrimin e tij në një zakon, si thelbin e nismës së Singaporit.

Për dikë që lexon shumë, 15 minuta mund të duken shumë pak, por mendoj se është një kohëzgjatje e përshtatshme.

Ajo që ka ndodhur është se shumë njerëz vazhdojnë të lexojnë, nëse me lexim nënkuptojmë leximin e fjalëve në një ekran. Por ai lloj leximi i thelluar, që kërkon kohë dhe angazhim të vazhdueshëm, mund të ndodhë më rrallë”, tha studiuesja e zakoneve të leximit. /Monitor