KORÇË- Tre të rinj kanë rënë në prangat e policisë gjatë një operacioni antidrogë të zhvilluar në aksin rrugor “Prrenjas-Pogradec”.  Sulejman Tota, Julian Prendushi dhe 
Blert Hasaniu kapën duke transportuar 5.7 kilogramë lëndë të dyshuar narkotike kanabis, me qëllim shitjen.

Operacioni i koduar “Ngarkesa” u zhvillua nga strukturat e Hetimit të Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë, pas një jave hetimesh. Të arrestuarit janë dy të rinj nga Tirana dhe një nga Shëngjini.

Ata u kapën teksa udhëtonin me një automjet me karroceri, që drejtohej nga një 26-vjeçar. Në karroceri ishte ngarkuar një automjet tip “Volkswagen”, në bagazhin e të cilit, në vendin e gomës rezervë, policia gjeti 5.7 kilogramë lëndë të dyshuar narkotike kanabis.

Gjatë kontrollit fizik, një 27-vjeçari iu gjet gjithashtu një sasi e vogël lënde e dyshuar narkotike kanabis. Krahas drogës, në cilësinë e provës materiale u sekuestruan edhe dy automjetet, katër celularë dhe një shumë parash.

Njoftimi i policisë

Si rezultat i hetimeve të kryera me metoda proaktive, gjatë 1 jave, për goditjen e veprimtarive kriminale të prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Seksionin për Mbështetjen Operacionale të Hetimit të DVP Korçë, finalizuan operacionin e koduar "Ngarkesa".    

Në kuadër të këtij operacioni, u arrestuan në flagrancë shtetasit:

S. T., 27 vjeç, dhe J. P., 26 vjeç, banues në Tiranë, dhe B. H., 25 vjeç, banues në Shëngjin.

Këta shtetas u kapën nga shërbimet e Policisë, në aksin rrugor "Prrenjas-Pogradec", duke qarkulluar një automjet me karroceri që drejtohej nga shtetasi J. P. Në karroceri ishte ngarkuar nje automjet tip "Volkswagen", në bagazhin e të cilit, në vendin e gomës rezervë, u gjet një sasi lënde e dyshuar narkotike Cannabis Sativa, me peshë 5. 7 kg.

Gjatë kontrollit fizik, shtetasit S. T. iu gjet një sasi lënde e dyshuar narkotike Cannabis.  

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Korçës, për veprime të mëtejshme, për veprën penale "Prodhimi dhe shitja e narkotikëve", kryer në bashkëpunim.

-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë