Orkestra Simfonike çel sezonin e ri

17 Shtator 2026, 15:33Kulturë TEMA
Orkestra Simfonike çel sezonin e ri

Shtatori erdhi me tingujt e parë të një stine të re koncertore. Në skenë, aty ku muzika klasike gjen gjithmonë një mënyrë për të komunikuar me publikun, Orkestra Simfonike e Radio Televizionit Shqiptar çeli sezonin e ri koncertor me një mbrëmje të veçantë.

Nën drejtimin e maestro Gridi Kraja, instrumentistët e Orkestrës Simfonike të RTSH-së përcollën në skenë një repertor që ndërthurte elegancën e muzikës klasike me ngjyrimet dhe identitetin e krijimtarisë shqiptare. Çdo tingull, çdo ritëm dhe çdo interpretim krijoi një atmosferë të veçantë, duke e kthyer këtë koncert në një pikënisje premtuese për sezonin e ri.

“Është një emocion i veçantë kur luhet një krijim i yti. Pavarësisht se unë mendoj që është një krijim modest, kur e luan vetë, e interpreton vetë dhe me orkestrën tënde, emocionet janë të përziera. Megjithatë, eksperienca ishte shumë e bukur. Unë e shijova shumë”, u shpreh dirigjenti, Gridi Kraja.

Në qendër të mbrëmjes ishte edhe virtuoziteti i pianistit Matia Cerriku, interpretimi i të cilit i dha programit një tjetër dimension. Përmes dialogut mes solistit dhe orkestrës, publiku përjetoi një mbrëmje ku forca e muzikës simfonike u ndërthur me ndjeshmërinë dhe teknikën e interpretimit.

“Një ndjesi madhështie të luajmë me Orkestrën e Radio Televizionit. Është një nismë shumë e bukur dhe më jep motivimin për të vazhduar akoma më përpara”, tha pianisti Matia Cerriku.

Koncerti nuk ishte thjesht një hapje e sezonit. Ishte një rikthim te skena, te tingulli i gjallë dhe te komunikimi i drejtpërdrejtë mes muzikantëve dhe publikut.Një mbrëmje që solli në vëmendje edhe një herë rolin e Orkestrës Simfonike të RTSH-së në pasurimin e jetës kulturore dhe muzikore shqiptare. Një sezon ku muzika klasike synon të vijojë të jetë pranë publikut, të krijojë emocione të reja dhe të sjellë në skenë histori të rrëfyera përmes tingujve. A.K./TemA

Lini një Përgjigje