Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural (AZHBR) njofton nisjen e pagesave për përfituesit e Skemës Kombëtare të Mbështetjes në Bujqësi 2026.
Skema Kombëtare 2026 përfshin 12 masa mbështetëse, nga të cilat 9 masa direkte për fermerët dhe 3 masa për investime.
Pagesat kanë nisur për fermerët dhe subjektet përfituese që kanë përmbushur kriteret e përcaktuara në kuadër të skemës dhe kanë kaluar me sukses procesin e kontrollit administrativ dhe kontrollit në terren.
Ndërkohë, për masat e investimeve vijon shqyrtimi administrativ i aplikimeve dhe dokumentacionit të paraqitur nga aplikantët, në përputhje me procedurat dhe kriteret e përcaktuara për secilën masë.
Skema Kombëtare synon të mbështesë fermerët, duke nxitur rritjen e prodhimit, modernizimin dhe përmirësimin e kapaciteteve të subjekteve që operojnë në këtë sektor.
Për informacion të mëtejshëm mbi procesin e pagesave, kriteret dhe procedurat përkatëse, fermerët mund të vizitojnë faqen zyrtare të AZHBR-së ose të drejtohen pranë Agropikave në të gjitha qarqet e vendit, ku mund të marrin informacionin dhe asistencën e nevojshme.
