Deputetja demokrate Jorida Tabaku deklaroi në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve para seancës plenare se Komisioni Hetimor për KAYO-n duhet të ngrihet për shkak të akuzave që janë hedhur për trafik armësh dhe për faktin se kompania nuk ka asnjë aktivitet publik.
Tabaku thotë se nuk duhet të diskutojnë nëse duhet të ngihet apo jo Komisioni, sepse e parashikon Kushtetuta, por për objektin që duhet të trajtojë. Ajo përmendi edhe komisionin për inceneratorët, teksa tha se ajo çështje rezultoi të ishte një nga rastet më të mëdha të korrupsionit.
“Ju mund të sillni këtu gjoja argumente, por ka qenë Kushtetuta ajo që ka përcaktuar se si ngrihet një komision hetimor dhe cili është roli juaj në këtë çështje.
Ne po kërkojmë një komision hetimor për veprimtarinë e një kompanie që nuk ka aktivitet publik. Akuzat janë të rënda dhe pikëpyetjet janë të mëdha për veprimtarinë e kësaj kompanie shtetërore.
Unë vij me eksperiencë nga një komision hetimor. Të njëjtin qëndrim keni pasur edhe atëherë, të njëjtat argumente keni sjellë. Por e vërteta është se ai komision ekspozoi një nga skemat më të mëdha korruptive. Çështja e inceneratorëve rezultoi të ishte një nga rastet më të mëdha të korrupsionit.
Prandaj, ne këtu mund të diskutojmë vetëm për objektin e kërkesës që kemi parashtruar, jo për ngritjen e komisionit. Këtë e garanton Kushtetuta. Na e ka dhënë Kushtetuta të drejtën e hetimit parlamentar.”













