Aktualitet Politikë

Komision hetimor për “KAYO”-n, Balla: Nuk plotëson kriteret!

Në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve, kryetari i grupit socialist, Taulant Balla,  tha se kërkesa për ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar lidhur me shoqërinë “KAYO” Sh.A. nuk përmbush kriteret kushtetuese dhe ligjore të parashikuara për ngritjen e një komisioni të tillë.

Sipas Ballës, nga pikëpamja përmbajtësore, kërkesa nuk individualizon një “çështje të veçantë”, siç kërkohet nga Kushtetuta, pasi objekti i hetimit është konceptuar në mënyrë tepër të gjerë dhe përfshin një sërë çështjesh të ndryshme, pa përcaktuar qartë faktet konkrete që duhet t’i nënshtrohen hetimit parlamentar.

Në kërkesë nuk janë identifikuar veprime apo mosveprime konkrete të zyrtarëve publikë, aktet apo kontratat që pretendohet se janë të paligjshme, si dhe periudha kohore ku duhet të shtrihet hetimi. Sipas Ballës, objekti i propozuar synon kontrollin e përgjithshëm të veprimtarisë së shoqërisë dhe jo hetimin e një çështjeje të individualizuar me rëndësi të veçantë publike.

Balla argumentoi edhe se tetë pikat e paraqitura në objektin e hetimit kanë natyrë heterogjene, duke përfshirë marrëdhënie kontraktuale, veprimtari prodhuese dhe tregtare në fushën ushtarake, fonde buxhetore, dyshime për trafik armësh dhe detyrime ndaj NATO-s.

Sipas tij, një shtrirje e tillë nuk lejon përcaktimin e qartë të kufijve të hetimit dhe nuk përmbush standardin kushtetues për ekzistencën e një çështjeje të veçantë.

Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së theksoi se kërkesa nuk paraqet indicie konkrete dhe të mjaftueshme për paligjshmëri.