“Nuk më janë vënë në dispozicion të gjitha fashikujt”/ Shtyhet gjyqi i themelit për Ilir Metën, ja kur do të mbahet seanca e radhës

17/09/2026 10:20

Nuk ishin avokatët shkak i dështimit për herë të dytë të gjykimit Meta-Kryemadhi, por gjykata.

E megjithatë, kryesuesi i trupës paralajmëroi mbrojtësit se do t’i gjobisë në rast se ata mungojnë nga bojkoti që po i bëjnë GJKKO-së për rregulloren Bani.

Gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha raporton se gjatë apelit të palëve, gjykata tha se, për shkaqe familjare, mungonte një nga gjyqtarët, ndaj seanca nuk mund të zhvillohej.

Ndërkohë që avokati i ish-presidentit ishte i pranishëm si publik, u përgjigj: “Jam i pranishëm, por jam në bojkot”.

Teksa gjykata e shtyu gjykimin, nga kafazi Ilir Meta iu ankua Top Channel se nuk po dëgjohej dhe se nuk i janë vendosur në dispozicion të gjithë fashikujt hetimorë.

Procesi është në fazën e dëgjimit të kundërshtimeve të ish-deputetes Monika Kryemadhi, gjithashtu nën akuzë për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie.

Veç protestës që shprehu para mediave ndaj hetimeve, Kryemadhi iu bashkua protestuesve në derën e gjykatës penale, të cilët ishin kundër çdo politikani shqiptar.

Gjyqi Meta-Kryemadhi u shty për 24 shtator.

Top Channel