
Deputetët e Partisë Demokratike janë paraqitur këtë të enjte në Kuvend me stemën e UÇK-së të vendosur në veshje, në shenjë solidariteti pas vendimit të një dite më parë të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj katër ish-drejtuesve të UÇK-së.
Por simbolika e UÇK-së nuk ishte i vetmi element që shoqëroi hyrjen e opozitës në seancë. Deputetët demokratë ngjitën në derën kryesore të Parlamentit fotografi ku shfaqeshin Belinda Balluku dhe biznesmeni Ron Yeffet, të fotografuar më herët së bashku pas një dreke në Tiranë.
Veprimi lidhej me audio-përgjime të publikuara së fundmi, ku janë ngritur akuza për trafik armësh dhe përfshirjen e kompanisë shtetërore 'KAYO'. Pak pas vendosjes së fotografive, punonjëset e pastrimit të Kuvendit i hoqën dhe i grisën ato nga hyrja e Parlamentit. Seanca e sotme zhvillohet mes një klime të ngarkuar politike, me disa interpelanca të kërkuara nga opozita dhe protestë të paralajmëruar jashtë Kuvendit.