Aktualitet

Tre të plagosur me thikë në Sarandë/ Një i lënduar çohet te Trauma!

Tre të rinj u plagosën me thikë në Sarandë, ndërsa policia arrestoi dy persona dhe shpalli në kërkim një tjetër. Ngjarja ndodhi rreth orës 21:55, në një subjekt tregtar në lagjen nr. 1 të qytetit, pranë hyrjes për në shëtitore.

Të plagosurit janë identifikuar si vëllezërit E.Sh., 24 vjeç e M.Sh., 20 vjeç, si dhe 19-vjeçari A.S.

Burime spitalore bënë të ditur se 24-vjeçari E.Sh. është nisur drejt Tiranës për trajtim më të specializuar.

Pas hetimeve për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, policia arrestoi dy persona, mes tyre edhe A.S., njëri nga të plagosurit.

Në pranga ranë K.A., 22 vjeç dhe A.S., 19 vjeç, ndërsa 19-vjeçari E.B. u shpall në kërkim.

Dy të arrestuarit akuzohen për “Plagosje të rëndë me dashje” dhe “Prishje të rendit dhe qetësisë publike”. Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të shkaqeve e dinamikës së konfliktit.