Kryetari i Bashkisë Lezhë, Pjerin Ndreu, ka reaguar në rrjetet sociale në lidhje me klimën politike përpara zgjedhjeve lokale të majit.
Në një postim me tone ironike, Ndreu kritikon atë që e quan “alternativë” të kundërshtarëve politikë, duke i akuzuar se fokusohen te sulmet dhe akuzat, ndërsa sipas tij mungojnë idetë konkrete për zhvillimin e Lezhës.
Ndreu thotë se puna e bërë nga bashkia, rezultatet dhe të dhënat financiare janë të dokumentuara dhe nuk mund të zhbëhen përmes deklaratave politike.
Ai i referohet gjithashtu zgjedhjeve të vitit 2023 dhe më pas atyre të vitit 2025, duke pretenduar se votuesit e Lezhës kanë mbështetur punën dhe jo retorikën politike.
Në fund të reagimit, kryebashkiaku paralajmëron një fushatë elektorale që, sipas tij, do të karakterizohet nga përballja mes “punës dhe rezultateve” dhe asaj që ai e cilëson si “alternativë pa ide”.
Ndreu e mbyll postimin me një mesazh për kundërshtarët politikë: “Shihemi në Maj!”, ndërsa deklaron se Bashkia Lezhë do të vijojë të fokusohet te puna.


