Katër persona janë arrestuar me urdhër të prokurorisë së Fierit pas zbulimit të një skandali me falsifikimin e dokumenteve për pronat në Seman dhe Sheq Marinas. Në pranga kanë rënë dy ish-drejtorët e Kadastrës, Ertis Shehu dhe Bardh Kapaj, juristi P.Ç dhe biznesmeni Kastriot Hasko i cili ishte përfituesi i pronave.
Zyrtarët akuzohen për falsifikim dokumentesh dhe shpërdorim detyre lidhur me tjetërsimin e pronësisë së tokës me sipërfaqe prej 1143 hektarësh.
Hetimet e kryera për procedimin penal të regjistruar në vitin 2025, provuan se Hasko kishte paraqitur si tituj pronësi dy vendime të falsifikuara të Komisionitt ë Kthimit dhe Kompensimitt ë Pronave në Fier dhe kështu kishte arritur që të regjistronte nën pronësinë e tij dhe të 4 personave të tjerë një sipërfaqe të konsiderueshme toke prej 1,143 hektarë si dhe 150.000 Euro të ndodhur në zonat kadastrale 3301 dhe 3358, Seman i Ri dhe Sheq Marinas, Fier. Veprimet janë kryer në vitin 2024.
Biznesmeni Kastriot Hasko është i njohur më parë për publikun për shkak të një konflikti të bujshëm gjyqësor dhe mediatik rreth një sipërfaqeje prej 37 hektarësh tokë në Palasë ku u përplasën me armë biznesmenët Luan Muça dhe Vasil Bedinaj. Ai raportohet se ishte pronari i tokës së shitur në Palasë.
Në hetimin e prokurorisë së Fierit, u zbulua se Hasko duke falsifikuar prokurën nga personat e tjerë bashkëpronarë për tokat në Seman dhe Sheq Marinas, ua ka shitur këtë tokë dy kompanive të ndryshme. Skandali është zbuluar dy muaj pasi Lorena Goxhobelli kishte marrë detyrën si drejtoreshë e përgjithshme e Kadastrës.
Dy ish-drejtorët e Kadastrës, Ertis Shehu dhe Bardh Kapaj dhe juristi P.Ç e kanë regjistruar pronën në kundërshtim me ligjin duke mos kërkuar konfirmimin e vendimeve të Komisionit të Kthimit dhe të Kompensimit të Pronave, verifikim nga i cili do provohej se K.H kishte falsifikuar dokumentet.
Jo vetëm kaq, por ish-drejtori Bardh Kapaj kur ka regjistruar pasurinë ka tejkaluar edhe sipërfaqen që i ishte kthyer ish-pronarit Th.S duke bërë që K.H të përfitonte edhe më shumë sipërfaqe toke nga ajo që ishte tjetërsuar.
Ish-drejtori tjetër Ertis Shehu dhe juristi P.Ç kanë ndryshuar zërin kadastral të sipërfaqes së regjistruar në pronësi të K.H nga tokë arë në tokë pa frut pa patur asnjë akt administrativ nga qeveria apo ministria e Bujqësisë.
Në kuadër të hetimeve u sekuestruan mbi 76 pasuri, me sipërfaqe totale prej 1143 hektarë tokë (e barabartë me njëmbëdhjetë milion e katërqind e tridhjetë e shtatë mijë e pesëdhjetë e gjashtë m2), si dhe 150.000 euro. Versus.al

