“Kë duhet të dënojmë, hordhitë millosheviçiane apo UÇK”, Shehu në Kuvend: Të miratohet rezoluta që dënon gjenocidin serb

Deputeti i Partisë Demokratike, Tritan Shehu, gjatë seancës së sotme plenare ka reaguar ndaj vendimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë për katër ish-krerët e UÇK-së.
Shehu e cilësoi vendimin si “arbitrar” dhe ngriti në Kuvend pyetjen se kush e kreu gjenocidin në Kosovë dhe ndaj kujt u krye.
“Duke shprehur indinjatën time të thellë për atë vendim arbitrar të marrë dje për liderët e UÇK-së, dëshiroj t’i bëj një pyetje kolegëve të këtij Kuvendi. A ka pasur gjenocid në Kosovë? Kush e ka bërë këtë gjenocid dhe ndaj kujt është realizuar ky gjenocid?”, u shpreh Shehu.
Deputeti demokrat akuzoi mazhorancën për heshtje lidhur me këtë çështje dhe tha se Kuvendi nuk ka dhënë një përgjigje mbi përgjegjësit për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë.
“Kush e ka bërë gjenocidin, kë duhet të dënojmë? Hordhitë millosheviçiane apo UÇK?”, tha Shehu, duke shtuar se mungesa e një qëndrimi, sipas tij, krijon hapësirë për të njollosur luftën e Kosovës.
Shehu tha se opozita ka depozituar sërish në Kuvend rezolutën dhe kërkoi që ajo të futet në rendin e ditës me procedurë të përshpejtuar.
“Dje e pamë që u pagua një çmim i madh për heshtjen tonë. Prandaj ne dje kemi depozituar përsëri atë rezolutë në Kuvendin e Shqipërisë dhe kërkojmë miratimin e saj”, deklaroi Shehu.




