Në Prishtinë, një pjesë e EULEX-it, godinës së Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit, u përfshi nga zjarri mbrëmë vonë.
Kjo pasi demonstruesit e sulmuan me mjete piroteknike gjatë protestës kundër dënimit me burg për krime lufte të ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) nga Gjykata Speciale e vendit, me seli në Hagë.
Vendimi dënoi Hashim Thaçin, Jakup Krasniqin, Kadri Veselin e Rexhep Selimin. Thaçin e Krasniqin me nga 25 vjet burg secili, Veseli me 18 dhe Selimi me 13.
Qytetarë të pakënaqur protestuan dy herë pranë objektit të EULEX-it.
Rreth orës 22:30, një numër i caktuar i protestuesve, të cilët kishin qenë duke protestuar pranë objektit të Qeverisë së Kosovës, kishin lëvizur sërish në drejtim të bazës së EULEX-it në rrugën Prishtinë-Fushë Kosovë.
Ata e bllokuan rrugën pranë hyrjes në kompleksin e EULEX-it dhe filluan të hidhnin gjësende të ndryshme, mjete të forta dhe mjete piroteknike, ku si pasojë e këtyre të fundit, një pjesë e objektit është kapluar nga një zjarr i vogël, thuhet në njoftimin e policisë.
Zjarri u shua menjëherë, nuk pati të lënduar.