Aktualitet Politikë

Pagat e magjistratëve, rrëzohet kërkesa e PD-së për tërheqjen e draftit të PS-së!

Opozita i kërkoi Partisë Socialiste të tërheqë nga rendi i ditës draftin për formulën e re të pagave të magjistratëve. Shefi i grupit demokrat, Gazment Bardhi tha se duhet të vijojnë konsultimet me institucionet e drejtësisë, duke paralajmëruar se në të kundërt, sërish ligji rrezikon të miratohet në shkelje të Kushtetutës.

Ka 3 vendime të Gjykatës Kushtetuese që maxhoranca juaj ka refuzuar t’i zbatojë, ose më saktë, i ka shkelur.

Versioni juaj nuk është konsultuar. Jeni para përgjegjësisë për ta tërhequr sot, sepse rrezikojmë të shkelim Kushtetutën.

Nuk mund t’i mbajmë të pasigurt në trajtimin financiar, sepse nuk do t’i shërbenin si duhet vendit. Ndaj tërhiqeni, të bëhet vlerësimi i projektligjit e më tej të veprojmë!

Në përgjigje, kolegu i tij socialist, Taulant Balla, e cilësoi “hipokrite” kërkesën e PD-së, që u rrëzua me 79 vota.

Referuar kritikave dhe akuzave të mëparshme të demokratëve ndaj drejtësisë, Balla tha se “është lajm pozitiv që opozita del në mbrojtje të gjyqtarëve dhe prokurorëve”.

Më vjen mirë të dëgjoj që PD-ja del në mbrojtje të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Ky është lajm pozitiv, sepse tregon reflektim nga ato sharje dhe kërcënime që jemi mësuar t’i dëgjojmë shpesh.

Sot, jemi këtu për të votuar një projektligj. Vota jonë ndaj kërkesës së PD-së është kundër. Eshtë kërkesë hipokrite. Më thanë që jemi vonuar dhe tani që e kemi sjellë, na thoni ta shtyjmë.

Në një tjetër zhvillim nga seanca plenare, Shqipëria dënon vendimin e Gjykatës Speciale, për dënimin me 81 vite burg të Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Kadri Veselit e Rexhep Selimit.

Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, u shpreh se ka një dakordësi të plotë me grupet parlamentare për hartimin e një deklaratë të përbashkët të Kuvendit të Shqipërisë, që dënon vendimin për ish-drejtuesit e UÇK-së.

Sot rreth drekës do të jemi gati për një deklaratë nga Kuvendi i Shqipërisë.