E enjte, 17 Shtator 2026 Mes'dritë Live deri në 12:00 Në vijim ora 12:00: Lajme Ora 12:00 dhe Moti Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Politikë

Debat me tonë të ashpra Kapri-Balla! Deputeti i “Mundësisë”: Lëshoje lot krokodili për vendimin e Hagës, merrni përgjegjësi ose lëreni këtë punë

Ilustrim · Vizion Plus

Debati për deklaratën e Kuvendit lidhur me vendimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës ndaj ish-krerëve të UÇK-së ka sjellë përplasje në seancën e sotme plenare mes deputetit të Partisë Mundësia, Erald Kapri, dhe kreut të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla.

Kapri kërkoi që në hartimin dhe miratimin e deklaratës të përfshihen të gjithë deputetët, përfshirë Agron Shehajn, i cili është i përjashtuar nga Kuvendi.

Nga ana tjetër, Balla reagoi ndaj argumentit të Kaprit se mungesa e Agron Shehajt pengon qëndrimin e Kuvendit për ish-krerët e UÇK-së, duke thënë se deputetët janë dakordësuar që deklarata të përcillet në emër të të gjithëve.

Debati Kapri-Balla

Erald Kapri: Ju nuk doni që të ketë zë opozite në këtë sallë. Nëse keni kërkesë të sinqertë për deklaratën për UÇK-në, duhet që të jenë në seancë edhe opozitarët, edhe Shehaj, që të jetë dhe zëri i 50 mijë njerëzve në këtë sallë. Mblidhni Byronë, që asnjë deputet të mos mungojë në deklaratë.

Rinia është në shesh dhe vazhdoni që të mos dëgjoni zërin e askujt. Ju keni frikë nga vezët dhe protestuesit. Që mos jemi hipokritë për deklaratën, mos përjashtoni asnjë zë shqiptari në parlament. Së dyti, tërhiqni projektligjin e turpshëm për pagat e magjistratëve.

Taulant Balla: Meqë na mungon Agron Shehaj ne nuk duhet të shprehemi për çlirimtarët. Është hall i madh. Po afron momenti që duhet të kemi deklaratën gati. Na plas shpirti këtu për t’i thënë disa fjalë për atë vendim dje, por jemi dakordësuar që do flisni ju (Niko Peleshi) në emër të të gjithëve. Tani na dalin dhe na thonë ‘mos votoni deklaratën se na mungon Agron Shehaj’. Të plasi dy herë shpirti, jo një herë.

Erald Kapri: Dikush dje lëshonte lot krokodili për vendimin e djeshëm të Hagës. Sot duhet të ishte një ditë për përgjegjësi. Dështuam si dy shtete dje në Hagë. Çfarë bëri shteti shqiptar për të mbrojtur liderët e luftës atje? Zero! Ka heshtuar. Për të mos thënë që elita këtu dhe Edi Rama në veçanti ka dashur që Thaçi të dënohet. Ato janë lot krokodili. Nëse ky parlament duhet të bënte diçka nuk ëhstë deklarata, rezolutë me hapa konkretë. Duhet të përcaktojë rezoluta sa duhet të harxhojmë për të mbrojtur çështjen e kombit shqiptar. Sepse jemi në një situatë dëshpëruese. Duhet ta marrim seriozisht, ku do të lobojmë, instituti që do të ngrejmë. Dalin këtu me gjuhë urrejte kundër opozoitës dhe vijnë fshehtas në Parlament sepse  kanë frikë nga veza e të rinjve. Ose merrni përgjegjësi për atë që ndodhi dje në Hagë ose lëreni këtë punë, sepse u ka dalë boja.

Xhuljana Zhuleku
Gazetar/e · Vizion Plus · Redaksia e Vizion Plus.
Të gjithë artikujt

Vazhdo të lexosh

Lini një koment

Me respekt — komentet moderohen nga redaksia.
Nuk publikohet kurrë.