Deputeti Redi Muçi vendosi që fjalën e tij në këtë sesion të ri parlamentar ta nise ndryshe nga kolegët e tij demokratë e socialistë në Kuvendin e Shqipërisë.
Fillimisht ai uroi mazhorancën që ky sesion i ri parlamentar të jetë më i “shkurtri” për ta, por nuk kurseu as një urim as për paraqitjen e deputetes së Partisë Socialist, Zegjine Çaushin. Urim ky i cili nuk u “prit mirë” nga socialistët të cilët u mobilizuan për kolegen e tij duke i kërkuar Muçit që t’i kërkonte falje.
“U mbyll dhe u nis me rrethimin e Kuvendit nga policia, me deputetët që para se të vinin kishin hartuar një plan se si do t’u shmangeshin vezëve, kështu i urojmë kolegë që ju shmangët vezëve, urime Zegjinesë për look-un e ri”, tha Muçi teksa më tej solli edhe protestën e cila për 110 ditë është duke vijuar në kryeqytet.
“Do ta nis me një urim për sesionin e ri parlamentar. Uroj që ky sesion të jetë më i shkurtri në historinë e paqes, i fundit i kësaj qeverie dhe i kësaj partie totalisht të delegjitimuar që ka uzurpuar shtetin shqiptar. U mbyll dhe u nis me rrethimin e Kuvendit nga policia, me deputetët që para se të vinin kishin hartuar një plan se si do t’u shmangeshin vezëve, kështu i urojmë kolegë që ju shmangët vezëve, urime Zegjinesë për look-un e ri. Por mos harroni që kjo është dita e 110 e një proteste. Janë 110 ditë të cilat e kanë kalitur popullin shqiptar me vetëdijen, ndërgjegjen dhe vullnetin për një Shqipëri të re, për një Shqipëri që nuk ka në kupolën e saj drejtuese hajdutë. Këto 110 ditë u kanë krijuar qytetarëve dhe të rinjve në Shqipëri që t’ju cilësojnë me emrin që ju takon, me emrin hajdutë. Dhe meqenëse menduat se protestat do të zbeheshin nga patatizmat e sulltanit, atëherë ta dini se nga mllefi i popullit ka vetëm një ilaç: dorëheqja”, tha Muçi.
Ndërkohë që pas përfundimit të fjalës së tij, kreu i Kuvendit, Niko Peleshi i tërhoqi vërejtje Muçit për fjalorin e përdorur.
“Ju tërheq vëmendjen për gjuhën seksiste”, i tha ai.
E teksa Muçi e uronte për pamjen e re, deputete Çaushi iu drejtua duke i thënë: “Ulu mo ulu se na hape barkun, psikopat”
