POLITIKË /

Dënimi i krerëve të UÇK, Balla: Na dhemb shpirti, por Kuvendi do bëjë deklaratë! Kapri: Lot krokodili, duhet rezolutë

Shkruar nga Versus
Dënimi i krerëve të UÇK, Balla: Na dhemb shpirti, por
Taulant Balla, Erald Kapri

Dënimi i liderëve të UÇK-së ditën e djeshme në Hagë ishte temë debati në seancën e sotme plenare ku deputetët opozitarë kërkuan futjen me procedurë të përshpejtuar të rezolutës së njohjes së genocidit serb në Kosovë.

Ndërsa kreu i grupit parlamentar Taulant Balla tha se Kuvendi do të mbante një deklaratë të dakordësuar nga të gjithë deputetët për gjyqin e djeshëm ku u dënuan Thaçi e të tjerët. Më tej kritikoi kërkesën e Kaprit për të pritur derisa të ishte i pranishëm edhe Shehaj për deklaratën e Kuvendit.  

“Shkuam në pikën që ne nuk duhet të shprehemi për clirimtarët se na mungon Agron Shehaj. Të lutem shumë kryetar besoj se po afron momenti që duhet të kemi atë deklaratën gati që diskutuam. Unë kam heshtur sot, besoj se të gjithëve na plas shpirti këtu për t’i thënë ca fjalë për atë vendim dje, por e kemi dakorësuar se do flisni ju në emrin tonë, për të qenë seriozë. Na dalin dhe na thonë mos votoni deklaratën për Kosovën se na mungon Agron Shehaj edhe të të plasi 2 herë shpirti, jo njëherë”- tha Balla.

Ndërsa nuk mungoi përgjigjia e Kaprit i cili tha se duhet rezolutë dhe veprime konkrete për t’u ardhur në ndihmë krerëve të UÇK. Ai kritikoi Ballën për gjuhën e përdorur dhe tha se duhej të mbanin përgjegjësi për dështimin në mbrojtjen e luftës së Kosovës.

“Dje lëshonte lot krokodili për vendimin e Hagës. Dalin këtu për një kërkesë minimale që të mos mungojë njeri në deklaratën unifikuese dhe flasin me gjuhë dhune. Nëse ky parlament do të duhet të bënte diçka duhet rezolutë, jo thjesht deklaratë. Duhen para buxhet, të përcaktohet sesa do harxhojmë për të mbrojtur çështjen e kombit shqiptar. Sepse jemi në situatë dëshpëruese dhe askush nuk flet për përgjegjësi në këtë vend. Vijnë fshehtas në Kuvend se kanë frikë nga veza e të rinjve. Merrni përgjegjësi, ose pranoni dështimin për çfarë ndodhi dje në Hagë, ose ndryshe lëreni këtë punë se ju ka dalë boja”- u shpreh Kapri. Versus.al

Poll