E enjte, 17 Shtator 2026 Trashëgimtari Halef deri në 13:00 Në vijim ora 13:00: Hakmarrja e Trëndafilit Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Vendi

Lezhë/ Rikonstruksioni i shkollës zhvendos nxënësit 7 km larg, prindërit bojkotojnë mësimin: S’kemi transport

Ilustrim · Vizion Plus

Rikonstruksioni i shkollës së Troshanit në Lezhë ka detyruar nxënësit të zhvillojnë mësimin përkohësisht në shkollën e fshatit Krajen, rreth 7 kilometra larg.

Zhvendosja e tyre ka krijuar një tjetër problem për familjet, atë të transportit. Rreth 40 nxënës kanë nevojë të udhëtojnë çdo ditë drejt Krajenit, ndërsa automjeti i vënë në dispozicion ka një kapacitet prej vetëm 22 vendesh.

Përballë kësaj situate, prindërit kanë protestuar dhe kanë vendosur të mos i dërgojnë fëmijët në shkollë, duke kërkuar zgjidhjen e menjëhershme të problemit.

Prindërit shprehen se transporti është i domosdoshëm për shkak të distancës, por mënyra se si po realizohet aktualisht nuk përmbush nevojat e të gjithë nxënësve.

Ata kërkojnë që të sigurohet transport për të gjithë fëmijët dhe paralajmërojnë vijimin e bojkotit nëse situata nuk zgjidhet.

Shkolla e Troshanit po rikonstruktohet për shkak të amortizimit të godinës dhe problematikave të evidentuara në çati. Punimet do të vijojnë gjatë këtij viti shkollor, ndërsa nxënësit do të zhvillojnë mësimin në Krajen.

Për situatën e krijuar ka reaguar edhe Drejtoria e Arsimit Parauniversitar në Lezhë.

Drejtori i saj, Hasan Muça, sqaron se vendimi për rikonstruksionin e shkollës së Troshanit është marrë në muajt e fundit, ndërsa zhvendosja e nxënësve në Krajen është përcaktuar vetëm në muajin gusht.

Sipas tij, kontrata për transportin e nxënësve ishte lidhur më herët për të gjitha shkollat, përpara se të vendosej zhvendosja e nxënësve të Troshanit.

Megjithatë, Drejtoria e Arsimit thotë se është dakordësuar me kompaninë që kryen transportin për të zgjidhur situatën.

Për shkak se rruga drejt Krajenit nuk mund të përshkohet nga një autobus me 50 vende, kompania ka marrë përsipër që transporti i nxënësve të realizohet me dy furgonë, duke siguruar kështu kapacitetin e nevojshëm.

Kompanisë i është kërkuar që ndërhyrja të bëhet menjëherë, me qëllim që nxënësit të kenë transport të përshtatshëm drejt shkollës në Krajen.

Xhuljana Zhuleku
Gazetar/e · Vizion Plus · Redaksia e Vizion Plus.
Të gjithë artikujt

Vazhdo të lexosh

Lini një koment

Me respekt — komentet moderohen nga redaksia.
Nuk publikohet kurrë.