Një ditë pas dënimit me 25 vite burg nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, ka reaguar bashkëshortja e Jakup Krasniqit, Sevdije Krasniqi. Në një prononcim për Top Channel, ajo ka treguar se çfarë i ka thënë Krasniqi familjes së tij.
Sipas saj, ai është shprehur se ndihet mirë dhe ka mohuar kryerjen e veprave për të cilat është dënuar. Gjithashtu ajo është shprehur se avokatët e të akuzuarve kanë paralajmëruar se do të bëjnë apelim për vendimin e shkallës së parë.
“Jakupi më tha se ndihet mirë, sepse nuk ka kryer asnjë nga veprat që akuzohet. Tha se nuk i ka bërë keq askujt dhe nuk donte t’i bënte keq as vetes. Avokatët e të akuzuarve kanë paralajmëruar se do të bëjnë apelimin, megjithëse nga vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë, nuk besojnë shumë. I kërkoj të gjithë shqiptarëve të bashkohen dhe ta refuzojnë këtë gjykatë”, u shpreh bashkëshortja e Krasniqit.
Ndërkohë, gazetarja Kristi Gongo ka lexuar edhe mesazhin që Jakup Krasniqi i ka dërguar familjes së tij pas dënimit të dhënë në Hagë.
“S’ka njeri në botë që i kam bërë keq. S’dua t’i bëj keq as vetes. Kjo është një drejtësi e korruptuar në favor të Serbisë. Dënimin e kam marrë nga gënjeshtrat e Serbisë”, ishte mesazhi i Krasniqit.
