Policia e Fierit ka dalë me një reagim zyrtar lidhur me operacionin e zhvilluar mbrëmjen e së mërkurës, ku u ekzekutuan katër masa sigurie “Arrest në burg” ndaj personave të dyshuar për tjetërsim dhe regjistrim të paligjshëm të sipërfaqeve të tokës në zonën e Semanit.
Sipas policisë, hetimet kanë nisur që në vitin 2025 duke çuar më pas në identifikimin e personave të dyshuar dhe në kërkesën për vendosjen e masave të sigurisë.
Në pranga kanë përfunduar Ertis Shehu dhe Bardh Kapaj, të dy ish-drejtues të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Piro Çela, specialist dhe jurist pranë ASHK-së si dhe biznesmeni Kastriot Hasko, i cilësuar nga autoritetet si përfitues i pronave që janë bërë objekt i hetimit.
Sipas versionit të bërë publik nga policia, katër personat dyshohet se kanë bashkëpunuar me njëri-tjetrin për regjistrimin në pronësi të Haskos të sipërfaqeve të tokës, duke shfrytëzuar pozicionet që kishin në institucionet shtetërore dhe duke përdorur dokumentacion të dyshuar si të falsifikuar.
Bëhet fjalë për një hetim që lidhet me pronat në zonën e Semanit në Fier, një çështje që tashmë ka kaluar në fazën e masave të sigurimit, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Fier.
"Ekzekutimi i masave të sigurisë u krye pasi këta shtetas dyshohet se, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë regjistruar në pronësi të shtetasit K. H. sipërfaqe toke, duke shfrytëzuar pozicionet e tyre të punës, si dhe duke falsifikuar dokumentacionin përkatës. Në vijim të veprimeve procedurale të kryera nga DVP Fier, në bashkëpunim me DVP Tiranë dhe DVP Vlorë, u ekzekutuan masat e sigurimit personal dhe pasuror ndaj shtetasve të mësipërm. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme", njofton Policia.
Arrestimi i Kastriot Haskos vjen në një moment kur emri i biznesmenit 70-vjeçar ishte bërë i njohur publikisht edhe për një tjetër çështje të debatueshme pronësie, këtë herë në zonën e Palasës.
Hasko, pronar i linjës MonCafe dhe i një biznesi me të njëjtin emër në Vlorë, si dhe aktiv në fushën e ndërtimit, u përfshi në konfliktin mes biznesmenëve Vasil Bedinaj dhe Luan Muça për një sipërfaqe toke në Palasë.
Vetë Hasko foli publikisht për këtë çështje në emisionin “Top Story”, ku deklaroi se prona objekt konflikti i përkiste atij dhe se kishte dokumentacion hipotekor për ta provuar këtë pretendim. Ai tha gjithashtu se pronën e kishte trashëgimi nga nëna dhe se kishte lidhur një kontratë bashkëpunimi me kompaninë Regina Group për zhvillimin e saj.
Ndërkohë, pala tjetër në konflikt kishte pretenduar se e kishte marrë më herët pronën dhe se dispononte edhe leje për ndërtim në atë zonë.

