Gjykata e Tiranës ka liruar 12 protestuesit e arrestuar gjatë një tubimi të zhvilluar ditën e hënë. Trupa gjykuese e ka cilësuar të paligjshëm arrestimin e tyre dhe nuk ka caktuar asnjë masë sigurie ndaj 12 protestuesve.
Ata u arrestuan të hënën, pasi dyshohet se tentuan të bllokonin qarkullimin e automjeteve në zonën e Zogut të Zi, gjatë protestë. Gjithashtu ata u arrestuan si të dyshuar për cenimin e perimetrit të sigurisë të shkollës "Qemal Stafa" në Tiranë, pjesëmarrje në tubim të paligjshëm, prishje të qetësisë publike dhe shtyrje të të miturve në krim.
Sipas njoftimit të bërë nga policia, të arrestuar ishin shtetasit Ermelind Kuka, 19 vjeç, Dorjan Balla, 36 vjeç, Artan Daci, 41 vjeç, Ervis Beqaj, 36 vjeç, Ramazan Dauti, 31 vjeç, Bekim Imeraj, 37 vjeç, Visuar Dalipi, 29 vjeç, A.M, 20 vjeç, Aleandro Ahmetsulaj, 56 vjeç, Ridvan Kamberi, 63 vjeç, Klodian Bajrami, 24 vjeç dhe Enrik Xhemalaj, 39 vjeç.
Po ashtu i lirë është lënë edhe 47-vjeçari Mandi Jatagani i cili paraditen e së hënës alarmoi Policinë e Shtetit se në ambientet e shkollës “Emin Duraku” kishte bombë. Ndaj tij gjykata ka caktuar masën e “detyrim paraqitje”.
Kujtojmë se Jatagani telefonoi policinë dhe u tha atyre se në ambientet e kësaj shkolle kishte lëndë shpërthyese. Sipas asaj që 47-vjeçari tha ky veprim i tij erdhi në kuadër të një “eksperimenti” me qëllim për të vënë në provë gatishmërinë e forcave blu.
“Sapo mora Policinë e Shtetit te 112 për të denoncuar faktin për terrorizimin me lëndë shkatërrimi në masë te shkolla. Jam te shkolla ‘Emin Duraku’ për të denoncuar faktin e terrorizmit. Të shikojmë për sa do të vijnë”, tha ai në video, ku përgjatë gjithë kohës ishte live.
Pas verifikimeve të kryera nga njësia anti-eksplozive, rezultoi se alarmi ishte i rremë dhe se shkollës nuk i kanosej asnjë rrezik. Jatagani u arrestua nga specialistët e Njësisë Antiterror për veprat penale “Njoftimi i rremë në organet e rendit” dhe “Përhapja e informatave të rreme që ngjallin panik”.
