
Policia e Fierit, ka publikuar momentet e arrestimit të biznesmenit Kastriot Hasko mbrëmjen e djeshme pas urdhrit të prokurorisë e cila e akuzon Haskon se kishte përvetësuar 1143 hektarë tokë në Seman dhe Sheq Marinas duke falsifikuar dokumentet.
Vihet re se në momentin e arrestimit, biznesmeni po drejtonte një automjet luksoz tip “Bentley” me të cilin është shoqëruar për në komisariat. Hasko dyshohet se në bashkëpunim me ish-drejtorët e Kadastrës së Fierit, Ertis Shehu dhe Bardh Kapaj si dhe me juristin P.Ç kanë falsifikuar dokumentacionin përkatës për të tjetërsuar pronësinë e tokës.
Në pranga kanë rënë edhe tre bashkëpunëtorët e tij, ndërsa vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rastit pasi përfituesi rezulton se e ka shitur këtë tokë tek dy kompani të tjera. Emri i Haskos u përmend edhe më herët gjatë këtij sezoni veror pas sherrit të ndodhur në Palasë mes dy biznesmenëve Vasil Bedinaj dhe Luan Muça. Hasko rezulton se kishte lidhur kontratë zhvillimi me Bedinajn për pronën për të cilën ndodhi sherri në Palasë. Versus.al

