Biznesmeni Kastriot Hasko është arrestuar nga Prokuroria e Fierit, nën dyshimin për falsifikim të dokumenteve të pronësisë për një sipërfaqe toke në zonën e Semanit. Bashkë me të është arrestuar edhe Ertis Shehu, ish-drejtor i Kadastrës së Fierit.
Hasko dhe Shehu kanë qenë prej muajsh nën hetim nga Prokuroria e Fierit, ndërsa urdhër-arrestet janë ekzekutuar mbrëmjen e së mërkurës në Tiranë.
Rasti i dyshuar i falsifikimit të dokumenteve të pronësisë në Seman është zbuluar në fund të vitit 2024, pas një kontrolli administrativ të kryer nga strukturat e Kadastrës.
Emri i Kastriot Haskos është bërë i njohur më herët edhe për një tjetër çështje pronësie, atë të konfliktit mes biznesmenëve Luan Muça dhe Vasil Bedinaj në Palasë.
Pas përplasjes me armë mes dy biznesmenëve, Hasko doli në media duke deklaruar se ishte pronari i tokës për të cilën kishte nisur konflikti.
Ai pretendoi se parcelën e kishte trashëguar nga gjyshi dhe se për tokën kishte lidhur një kontratë zhvillimi me biznesmenin Vasil Bedinaj.














