Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

Aktualitet

“5 Maji” zonë e re për zhvillim, cilat janë njësitë zbatuese të përcaktuara me VKM për rindërtim

Shkruar nga Newsbomb
“5 Maji” zonë e re për zhvillim, cilat janë
Foto akrive nga "5 Maji"

Këshilli i Ministrave ka miratuar së fundi shpalljen e zonës së re për zhvillimin në njësitë administrative 4 dhe 8, të cilat përfshijnë zonën e “5 Majit” në Bashkinë e Tiranës. Sipas këtij vendimi në klistën e njësive zbatuese për procesin e rindërtimit përfshihen Fondi Shqiptar i Zhvillimit (FSHZH), Bashkia Tiranë dhe shoqëria “Tirana DC” sh.a.

Përmes këtij ndryshimi përcaktohet se, bashkia Tiranë dhe “Tirana DC” sh.a, do të vijojnë zbatimin e projekteve të nisura dhe në vijim në kuadër të procesit të rindërtimit.

Ndërsa sa i përket Fondit Shqiptar të Zhvillimit, ai është caktuar si njësi zbatuese për projektet e reja të rindërtimit në këtë zonë, përfshirë ndërtimin e banesave të reja apo ndërtesave publike të dëmtuara, si edhe ndërtimin dhe rikonstruksionin e infrastrukturës publike e kritike. Më tej parashikohen të përfshihen realizimi i ndërtimeve, dhe ndërhyrje të tjera në funksion të rindërtimit.

Për zbatimin e vendimit janë ngarkuar Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, bashkia Tiranë dhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit. Vendimi ka hyrë në fuqi menjëherë dhe është botuar në fletoren zyrtare.

Vendimi i Këshillit të Ministrave:

DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.78,  DATË 31.1.2020, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR SHPALLJEN E ZONËS SË RE PËR ZHVILLIM NË NJËSITË ADMINISTRATIVE 4 DHE 8, ZONA “5 MAJI”, BASHKIA TIRANË, DHE CAKTIMIN   E BASHKISË TIRANË DHE SHOQËRISË “TIRANA DC”, SH.A., SI NJËSI ZBATUESE”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 13, shkronja “b”, nënndarjet “iii” e “iv”, dhe 16, pika 3, të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, miratuar me ligjin nr.97/2019, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

I. Në vendimin nr.78, datë 31.1.2020, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar,  bëhen këto ndryshime dhe shtesa:

1. Titulli i vendimit ndryshohet dhe bëhet, si më poshtë vijon:

“Për shpalljen e zonës së re për zhvillim në njësitë administrative 4 e 8, zona “5 Maji”, Bashkia Tiranë, dhe caktimin e Bashkisë Tiranë, shoqërisë “Tirana DC”, sh.a., dhe Fondit Shqiptar të Zhvillimit si njësi zbatuese”.

2. Në pikën 2, fjalia hyrëse ndryshohet, si më poshtë vijon:

“Caktimin e Bashkisë Tiranë si njësi zbatuese për zbatimin  e projekteve të nisura e në vijim, në kuadër të procesit të rindërtimit, për: …”.

3. Në pikën 2.1, fjalia hyrëse ndryshohet, si më poshtë vijon:

“Caktimin e “Tirana DC”, sh.a., si njësi zbatuese për zbatimin  e projekteve të nisura e në vijim, në kuadër të procesit të rindërtimit, për: …”.

4. Pas pikës 2.1 shtohet pika 2.2, me këtë përmbajtje:

“2.2 Caktimin e Fondit Shqiptar të Zhvillimit si njësi zbatuese për zbatimin e projekteve të reja, në kuadër të procesit të rindërtimit, për:

a) ndërtimin e banesave të reja ose të ndërtesave publike të dëmtuara;

b) ndërtimin e rikonstruksionin e infrastrukturës publike dhe kritike;

c) realizimin e ndërtimeve në këtë zonë;

ç) çdo ndërhyrje tjetër në funksion të rindërtimit të kësaj zone.

II. Anekset bashkëlidhur vendimit nr.78, datë 31.1.2020, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, zëvendësohen me aneksin 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

III. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Bashkia Tiranë dhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit  për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në  “Fletoren zyrtare”.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese