Shpresë për krerët e UÇK në Apel, tensione në Prishtinë, PDK mbledh Kryesinë. Durmishi: Apeli ta ndryshojë dënimin

Dhimbja, revolta dhe tensioni në rrugët e Prishtinës, pas vendimit të Gjykatës Speciale në Hagë për katër ish-krerët e UÇK-së, vijoi deri pas mesnatës së të mërkurës.
Qytetarët e mbledhur në sheshin “Skënderbeu”, marshuan drejt selisë së EULEX-it, ku pati përplasje me policinë, ndërsa protestuesit hodhën gurë dhe sende të tjera drejt ndërtesës. Në orët e vona të mbrëmjes, një pjesë e tubuesve sulmuan zyrat e Eulex me mjete piroteknike.
Për pasojë, një pjesë e vogël e çatisë së objektit mori flakë. Zjarrfikësit mbërritën në vendngjarje, ndërsa forca të shtuara të Policisë së Kosovës siguruan perimetrin.
Ndërkohë këtë të enjte, në Prishtinë po bëhen takime politike për situatën e krijuar pas vendimit të Hagës. Kryesia e Partisë Demokratike është mbledhur për të shqyrtuar hapat që do të merren më tej. Para takimit kryetari i PDK Bedri Hamza tha se reagimi do të bëhet në të gjitha format demokratike dhe ligjore.
Edhe ambasadori i Kosovës në Shqipëri, Skënder Durmishi, i ftuar në emisionin e mëngjesit 7 pa 5 në Vizion Plus, u shpreh se në Apel, vendimi duhet të ndryshohet.
“Nuk e di se ç’mund të ndodhë në apel. Mund ta rikthejë, mund ta ndryshojë, mund ta hedhë poshtë, por e sigurt që ajo që pamë dje nuk do të ndodhë dhe kryeministri i Kosovës tha dje hapur që duhet të korrigjohet dhe, në fakt, duhet të ndryshohet. Dhe ndryshimi duhet të jetë në favor të së vërtetës, sepse nuk kanë bërë krime të tilla që kemi dëgjuar në pretencë.Pres që apelacioni të jetë i ndershëm me vetveten, me profesionin dhe me të vërtetën para të gjithash”, tha Durmishi.
Katër ish-krerët e UÇK-së u dënuan në total me 81 vite burgim, ndërsa trupi gjykues i shpalli ata të pafajshëm për akuzat për krime kundër njerëzimit.




