Nga Adriatik Lapaj
Ekziston një parim themelor i drejtësisë penale, nga i cili duhet të udhëhiqet çdo proces gjyqësor dhe mbi të cilin duhet të mbështetet çdo vendim: *për të dënuar dikë penalisht, akuza duhet të provohet përtej çdo dyshimi të arsyeshëm.*
Po aq themelor është edhe parimi se përgjegjësia penale është individuale e si e tillë duhet të bazohet në prova konkrete që lidhin subjektin me veprën dhe jo në qëndrime të përgjithshme.
Pozita, funksioni apo roli drejtues, në vetvete, nuk mund të zëvendësojë provën e përgjegjësisë individuale.
Nga arsyetimi i dhënë në rastin e krerëve të UÇK-së, në asnjë prej rasteve të dënimit, sipas mënyrës se si u paraqit arsyetimi, përgjegjësia nuk duket se është konkretizuar mbi veprime ose mosveprime individuale të provuara me prova konkrete. Përkundrazi, përgjegjësia shtjellohet kryesisht përmes rolit dhe pozitës së tyre si drejtues gjatë luftës.
Nëse një person dënohet pa u identifikuar qartë se cilin veprim ose mosveprim konkret ka kryer, cilat prova e dëshmojnë atë dhe si lidhet ky veprim ose mosveprim drejtpërdrejt me pasojën për të cilën është shpallur fajtor, atëherë kemi një përplasje lidhur me respektimin e standardit të provës përtej çdo dyshimi të arsyeshëm dhe të parimit të përgjegjësisë individuale.
Një precedent i tillë, nëse përgjegjësia penale do të ndërtohej mbi pozita, role dhe përgjegjësi të përgjithshme, pa një lidhje të provuar individuale me veprën konkrete, do të mund të krijonte një standard të rrezikshëm: që njerëzit të gjykohen jo për atë që është provuar se kanë bërë, por për atë që kanë përfaqësuar, për pozitën që kanë mbajtur apo për angazhimin e tyre në një konflikt.
Prandaj, mbrojtja e procesit të rregullt ligjor nuk është çështje individësh apo rrethanash të veçanta. Është mbrojtje e një parimi themelor të drejtësisë: askush nuk duhet të dënohet për shkak të pozitës apo rolit që ka pasur, por vetëm mbi bazën e përgjegjësisë së tij personale, të provuar me prova konkrete dhe përtej çdo dyshimi të arsyeshëm.
Përndryshe, ekziston rreziku që një standard i tillë të kthehet në precedent që mund të përdoret nesër si mjet spastrimi ndaj kujtdo që lufton kundër shtypjes dhe padrejtësisë.
Me standardin që ka mbajtur Gjykata Speciale ndaj drejtuesve të UÇK-së, sipas të cilit ata duhet të mbajnë përgjegjësi të rëndë pse nuk morën masa që në terren të mos mbaheshin të arrestuarit nëpër kasolle dhe t’u çohej ushqim me orar, apo se një pjesë e të arrestuarve kanë humbur jetën nga kushtet e vështira, atëherë, me të njëjtën logjikë, do të duhej të përgjigjej edhe Kryeministri i Holandës i kohës për ngjarjet në Srebrenicë, ku u masakruan 8 372 njerëz, pasi ushtarët holandezë në terren nuk arritën t’i mbronin civilët nga vrasjet masive.
Por duket se në këtë standard harrohet një rrethanë thelbësore: UÇK-ja ishte një ushtri e krijuar nga populli. Në radhët e saj kishte fermerë, blegtorë, studentë, punëtorë e intelektualë, njerëz që lanë familjet dhe profesionet e tyre dhe dolën në luftë për mbijetesë dhe për lirinë e vendit.
Harrohet gjithashtu se UÇK-ja nuk ishte një ushtri konvencionale. Ajo zhvillonte luftë në kushte të jashtëzakonshme, e shpërndarë në male, pyje e fshatra, duke u strehuar aty ku e lejonte terreni. Vetë pjesëtarët e saj flinin nëpër pyje e kasolle. Nuk kishin godina të posaçme ushtarake, qendra paraburgimi apo infrastrukturën që kanë ushtritë e rregullta të shteteve.
Në këto rrethana, kasollet dhe objektet e improvizuara shpesh ishin e vetmja mundësi që ofronte terreni. Edhe ushqimi sigurohej kur gjendej mundësia dhe në varësi të kushteve të luftës. Nuk bëhej fjalë për një realitet normal, ku mund të zbatohej një regjim ushqimi me orare fikse dhe standarde administrative të një institucioni të rregullt.
Në vendim, arsyetohej se personave u ishte hequr liria pa një proces të rregullt bazuar në ligj. Po vetiu lind pyetja mbi cilin ligj? Cili ishte regjimi juridik mbi të cilin duhej të kryhej procesi i ndalimit apo arrestimit të personave në fjalë në kushtet e një realiteti që kishte prodhuar një ushtri popullore për liri që nuk buronte nga aktet juridike të një asambleje përfaqësuese popullore legjitime që mund të prodhonte norma juridike. Nuk kishte në fuqi një Kod të Procedurave Penale, ndaj dhe veprimtaria e tyre është udhëhequr nga parimet e së drejtës ndërkombëtare në fuqi që dhe vetë gjykata e pranoi se nuk ka pasur krime lufte apo genocid, pra politika shfarosëse.
Prandaj, kur gjykohet veprimi apo mosveprimi i njerëzve në rrethana lufte, nuk mund të shkëputet përgjegjësia nga realiteti konkret në të cilin ata kanë vepruar. Një ushtri e dalë nga populli, që luftonte në kushte mbijetese dhe pa strukturën e një ushtrie konvencionale, nuk mund të gjykohet sikur të kishte pasur në dispozicion infrastrukturën, kapacitetet dhe kushtet e një shteti të konsoliduar.
Historia dhe drejtësia duhet ta marrin parasysh edhe këtë realitet. Edhe realitetin se ne ishim në atë kohë të kërcënuar me ekzistencë! Edhe realitetin se ne jemi populli më i masakruar i Europës! Ne jemi viktimat!
Shënim: ky shkrim i referohet njohjes sime të ligjit penal ndërkombëtar, krimeve të luftës dhe konfliktit në ish-jugosllavi si temë me të cilën jam diplomuar.














