Çfarë do të gjeni në brendësi
*Sot në seancën plenare të Kuvendit pati debate për dënimin e dhënë dje nga gjykata e Hagës për liderët e UÇK. Ndërsa opozita akuzoi qeverinë se nuk kishte votuar për miratimin e rezolutës që dënon genocidin serb në Kosovë, socialistët kërkuan që Kuvendi të dalë me një deklaratë të përbashkët zyrtare. *Ndërkohë jashtë Kuvendit, policia kishte bllokuar të gjitha rrugët për të mbrojtur deputetët teksa hynin në seancë plenare. Protestuesit të cilët kërkonin dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe të klasës së vjetër politike, u përplasën me policinë, ndërsa pati persona të shoqëruar në policinë. *Kuvendi i Shqipërisë doli me një deklaratë të përbashkët kundër aktgjykimit të djeshëm në Hagë ndaj liderëve të UÇK.
“Shprehim indinjatën e thellë”, Kuvendi i Shqipërisë dënon vendimin e Hagës për liderët e UÇK

Me një deklaratë të përbashkët që shpreh qëndrimin e gjithë deputetëve, Kuvendi i Shqipërisë dënoi vendimin e dhënë dje nga Gjykata e Hagës ku 4 liderët e UÇK u dënuan me 81 vite burg në total.
Kryeparlamentari Niko Peleshi lexoi deklaratën që u duartrokit nga gjithë deputetët duke theksuar se lufta e UÇK kishte qenë për lirinë e Kosovës dhe se nuk duhej që komuniteti ndërkombëtar të barazonte viktimën me agresorin.
“Kuvendi i Shqipërisë shpreh kundërshtinë dhe indinjatën e thellë ndaj një vendimi që e konsideron thellësisht të padrejtë ndaj Hashim Thaçit, Selimit, Krasniqit dhe Veselit. Lufta e UÇK ishte për lirinë, ishte lufta e një populli për t’i dhënë fund represionit, dhunës dhe përndjekjes. Ai lindi si përgjigjie ndaj spastrimit etnik dhe genocidit të kryer nga Sllobodan Millosheviçit. UÇK ishte forcë vendimtare e popullit të Kosovës. Thaçi, Veseli, Selimi e Krasniqi janë të pandashëm nga ky qëllim. Një aktgjykim nuk mund të rishkruajë historinë e një populli apo të barazojë agresorin me viktimën. Shpresim shqetësimin e thellë për standartet e dyfishta në gjykimin e së kaluarës së përgjakshme”- thuhet mes të tjerash në deklaratën e Kuvendit. Versus.al
Berisha për dënimin e liderëve të UÇK: Rama dhe Vuçiç janë përgjegjës direkt

Kryedemokrati Sali Berisha gjatë fjalës së tij në foltoren e Kuvendit foli për dënimin e djeshëm ndaj liderëve të UÇK-së.
Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama duke e rreshtuar si përgjegjës direkt së bashku me presidentin serb, Aleksandër Vuçiç.
“Së fundi, ai Padrinoja juaj, pas kësaj që ndodhi në Hagë, në qoftë se ka njeri më përgjegjës direkt për atë që ndodhi, është Aleksandër Vuçiç dhe argati i tij Edi Rama.
Ku e keni tani, e keni parë të çelë ndonjë gojë, më thoni pak çfarë tha ai? Thuaj çfarë fjalë ka shqiptuar? Apo ai ministri i tij? Se u zhdukën këta. Këta sjellin këtë, që ky ka imunitet të vjedhë ditë e natë dhe thotë faleminderit, më lini të vjedh më shumë. Ky që kam këtu.
Se ky mobilizon të gjithë familjen, u jep kompani. Niko, ja ku e ke zëvendësin, aty e ke. Niko, të thashë se e ke zëvendësin gati. Po, po, do e heqin edhe atë”- tha Berisha mes të tjerash. Versus.al
Përplasje me policinë jashtë Kuvendit, protestuesit tentojnë të heqin kordonin metalik

Sot në ditën e 110-të të protestës për rrëzimin e qeverisë dhe të klasës së vjetër politike, qindra qytetarë u mblodhën para Kuvendit teksa mbahet seanca plenare.
Me thirrjet në mbështetje të UÇK-së dhe ato për dorëheqjen e Ramës dhe të klasës së vjetër politike, qytetarët u përfshinë edhe në përplasje me policinë.
Ata tentuan të hiqnin kordonin metalik me të cilin ishte rrethuar perimetri i sigurisë. Ndërsa pas tensioneve, njëri prej protestuesve u shoqërua për në polici. Versus.al
Dënimi i krerëve të UÇK, Balla: Na dhemb shpirti, por Kuvendi do bëjë deklaratë! Kapri: Lot krokodili, duhet rezolutë
Dënimi i liderëve të UÇK-së ditën e djeshme në Hagë ishte temë debati në seancën e sotme plenare ku deputetët opozitarë kërkuan futjen me procedurë të përshpejtuar të rezolutës së njohjes së genocidit serb në Kosovë.
Ndërsa kreu i grupit parlamentar Taulant Balla tha se Kuvendi do të mbante një deklaratë të dakordësuar nga të gjithë deputetët për gjyqin e djeshëm ku u dënuan Thaçi e të tjerët. Më tej kritikoi kërkesën e Kaprit për të pritur derisa të ishte i pranishëm edhe Shehaj për deklaratën e Kuvendit.
“Shkuam në pikën që ne nuk duhet të shprehemi për clirimtarët se na mungon Agron Shehaj. Të lutem shumë kryetar besoj se po afron momenti që duhet të kemi atë deklaratën gati që diskutuam. Unë kam heshtur sot, besoj se të gjithëve na plas shpirti këtu për t’i thënë ca fjalë për atë vendim dje, por e kemi dakorësuar se do flisni ju në emrin tonë, për të qenë seriozë. Na dalin dhe na thonë mos votoni deklaratën për Kosovën se na mungon Agron Shehaj edhe të të plasi 2 herë shpirti, jo njëherë”- tha Balla.
Ndërsa nuk mungoi përgjigjia e Kaprit i cili tha se duhet rezolutë dhe veprime konkrete për t’u ardhur në ndihmë krerëve të UÇK. Ai kritikoi Ballën për gjuhën e përdorur dhe tha se duhej të mbanin përgjegjësi për dështimin në mbrojtjen e luftës së Kosovës.
“Dje lëshonte lot krokodili për vendimin e Hagës. Dalin këtu për një kërkesë minimale që të mos mungojë njeri në deklaratën unifikuese dhe flasin me gjuhë dhune. Nëse ky parlament do të duhet të bënte diçka duhet rezolutë, jo thjesht deklaratë. Duhen para buxhet, të përcaktohet sesa do harxhojmë për të mbrojtur çështjen e kombit shqiptar. Sepse jemi në situatë dëshpëruese dhe askush nuk flet për përgjegjësi në këtë vend. Vijnë fshehtas në Kuvend se kanë frikë nga veza e të rinjve. Merrni përgjegjësi, ose pranoni dështimin për çfarë ndodhi dje në Hagë, ose ndryshe lëreni këtë punë se ju ka dalë boja”- u shpreh Kapri. Versus.al
"Mosbindje civile", protesta e njoftuar nga qytetarët, policia bllokon çdo rrugë që të çon tek Kuvendi

Qytetarët kanë njoftuar sot një protestë para Kuvendit të Shqipërisë në kuadër të thirrjeve të tyre për nisjen e mosbindjes civile.
Policia ka marrë masat për sigurinë e deputetëve duke bllokuar çdo rrugë që të çon tek Kuvendi.
Në seancën e parë plenare për këtë sesion parlamentar pati tjetër protestë nga qytetarët të cilët prej 109 ditësh dalin në sheshin para kryeministrisë duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe ndërrimin e klasës politike aktuale me argumentin se asnjë prej tyre nuk përfaqëson vullnetin e qytetarëve. Versus.al
Pr/ligje e 5 interpelanca në rend dite, seancë plenare në Kuvend! Vendoset dhe për pagat e gjyqtarëve

Kuvendi i Shqipërisë mblidhet sot në orën 10:00 në seancë plenare duke patur një rend dite të ngarkuar. Sipas detajeve të publikuara nga Kuvendi, pritet të sot të mbahen 5 interpelanca të kërkuara nga deputetët e PD me ministrat e qeverisë.
Ndërsa në vazhdim do të diskutohet dhe votohet mbi disa projektligje, mes të cilëve edhe ai për pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve, çështje që është debatuar shumë ditët e fundit.
Rendi i plotë i ditës:
Miratimi i procesverbalit të seancës plenare të datës 8 shtator 2026.
Njoftime.
Interpelancë urgjente me Ministrin e Mjedisit, Sofjan Jaupaj, kërkuar nga një grup deputetësh të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike.
Interpelancë urgjente me Ministrin e Punëve të Brendshme, kërkuar nga një grup deputetësh të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike.
Interpelancë urgjente me Ministren e Arsimit, Mirela Kumbaro, kërkuar nga një grup deputetësh të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike.
Interpelancë urgjente me Ministren e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Klodiana Spahiu, kërkuar nga një grup deputetësh të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike.
Interpelancë me Ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, kërkuar nga deputeti Blendi Himçi.
Projektligji “Për ratifikimin e Konventës për Themelimin e Komisionit Ndërkombëtar të Kërkesave për Ukrainën, bërë në Hagë, më 16.12.2025”.
Pas pyetjeve do të shprehet nismëtari, ndërsa do të paraqesë qëndrimin Komisioni përgjegjës për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike. Do të japin mendim edhe Komisioni për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik dhe Komisioni për Europën dhe Punët e Jashtme. Më pas do të zhvillohen diskutimet e grupeve parlamentare dhe do të hidhet në votim.
Projektligji “Për ratifikimin e Konventës kuadër të Këshillit të Evropës për Inteligjencën Artificiale, të Drejtat e Njeriut, Demokracinë dhe Shtetin e së Drejtës”.
Projektligji do të shqyrtohet pas pyetjeve, me qëndrimin e nismëtarit dhe të Komisionit përgjegjës për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik. Mendim do të japin Komisioni për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike dhe Komisioni për Europën dhe Punët e Jashtme. Pas diskutimeve të grupeve parlamentare do të zhvillohet votimi.
Projektligji “Për pranimin e vendimit DEC-I 1/119-VI/2024, të Këshillit të Anëtarëve të Këshillit Ndërkombëtar të Ullirit, për ndryshimin e nenit 36 të Marrëveshjes Ndërkombëtare për Vajin e Ullirit dhe Ullinjtë e Tavolinës, 2015, aderuar me ligjin nr. 112/2017”.
Për këtë projektligj do të shprehet nismëtari dhe Komisioni përgjegjës për Bujqësinë, Ushqimin dhe Zhvillimin Rural. Mendim do të japin Komisioni për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike, Komisioni për Ekonominë, Punësimin dhe Financat dhe Komisioni për Europën dhe Punët e Jashtme. Pas diskutimeve do të zhvillohet votimi.
Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 96/2016, ‘Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë’, të ndryshuar”.
Projektligji do të shqyrtohet me pyetje, qëndrimin e nismëtarit dhe të Komisionit përgjegjës për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike. Mendim do të japin Komisioni për Ekonominë, Punësimin dhe Financat dhe Komisioni për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik. Më pas do të zhvillohen diskutimet dhe votimi.
Projektligji “Për disenjot”.
Pas pyetjeve dhe qëndrimit të nismëtarit, do të shprehet Komisioni përgjegjës për Ekonominë, Punësimin dhe Financat. Mendim do të japin Komisioni për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike, Komisioni për Burimet Natyrore, Infrastrukturën dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm dhe Komisioni për Europën dhe Punët e Jashtme. Projektligji do të kalojë më pas për diskutim dhe votim.
Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 10236, datë 18.2.2010, ‘Për marrjen në kontroll të shoqërive me ofertë publike’”.
Pas pyetjeve dhe shprehjes së nismëtarit, do të paraqesë qëndrimin Komisioni përgjegjës për Ekonominë, Punësimin dhe Financat. Mendim do të japin Komisioni për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike dhe Komisioni për Europën dhe Punët e Jashtme. Në vijim do të zhvillohen diskutimet dhe votimi.
Projektvendim “Për disa ndryshime në vendimin nr. 85/2026, ‘Për caktimin e kryesive të komisioneve të përhershme të Kuvendit’”.
Projektvendimi do të hidhet në votim.
Projektvendim “Për disa ndryshime në vendimin nr. 86/2026, ‘Për caktimin e anëtarësisë së komisioneve të përhershme të Kuvendit’”.
Edhe ky projektvendim parashikohet të kalojë për votim.
Projektvendim “Për disa ndryshime në vendimin nr. 87/2026, ‘Për caktimin e anëtarëve zëvendësues në përbërjen e komisioneve të përhershme të Kuvendit’”.
Projektvendimi do të hidhet në votim me shumicë të thjeshtë.
Diskutime për çështje jashtë rendit të ditës.
Në këtë pikë, çdo deputet mund të flasë jo më shumë se 5 minuta, ndërsa nëse diskuton në emër të grupit parlamentar, koha maksimale është 8 minuta. Koha totale e diskutimeve për çështje jashtë rendit të ditës nuk mund të jetë më shumë se 60 minuta. Versus.al

