Deputeti i PD, Bardh Spahia, gjatë fjalës së tij në Kuvend ka ngritur alarmin për një skandal të ri në sektorin e shëndetësisë, duke akuzuar Ramën për kapjen e tenderave publikë përmes lidhjeve familjare.
Sipas Spahisë, vetëm në gjashtë javë Operatori i Shërbimeve të Integruara të Shëndetësisë, i drejtuar nga Yllka Sheta, kushërira e parë e bashkëshortes së Ramës ka shpallur 12 tendera me vlerë totale 105 milionë euro.
Gjatë interpelancës me ministren e Shëndetësisë, Klodiana Spahiu, deputeti demokrat paralajmëroi se ky është një “replikim i modelit KAYO” në shëndetësi, por me përmasa shumë më të mëdha.
Spahia theksoi se qindra milionë euro nga taksat e shqiptarëve po kontrollohen nga një person i lidhur drejtpërdrejt me familjen e kryeministrit, duke e cilësuar procesin si të mbuluar nga fshehtësia, pa transparencë dhe pa kontroll.
Ai solli si shembull tenderin e hemodializës, ku sipas tij u paraqit vetëm një ofertues, duke lënë të kuptohet se fituesi ishte i paracaktuar.
Fjala e deputetit Spahia
Ministrja zgjodhi që të paktën 10 minuta, gjysmën e kohës së saj, ta harxhojë duke tentuar të mbrojë emërimin e parë të saj në krye të Operatorit të Shërbimeve të Integruara të Shëndetësisë, kushërirën e parë të Linda Ramës, bashkëshortes së kryeministrit.
Dhe i duket normale. Madje shqetësohet se pse kërkojmë informacion dhe llogari që në krye të një operatori të tillë, I cili deri tani vetëm në tre javët e para, nga data 30 korrik kur u mor vendimi për krijimin e saj, ka shpallë 105 milion euro me 12 tendera. Vetëm në pak javë imagjinoni miliona euro të tjerë, të gjitha taksat e taksapaguesve shqiptarë të cilat do duhej të ishin të destinuara për shëndetin dhe jetën e atyre pacientëve që luftojnë përditë, por që do të shkojnë – me siguri do të menaxhohen – nga një i afërm i enturazhit të familjes kryeministrore.
Por kjo nuk i shqetëson. Shqiptarët, zonja ministre, ju kanë dëgjuar tashmë prej 13 vitesh dhe ju vijoni prapë sot e kësaj dite t’i fshiheni përgjegjësisë dhe llogaridhënies. Nuk keni guximin as të përballeni me shifrat dhe gjetjet e organizatave ndërkombëtare dhe raportet e tyre.
Mund të thoni se jeni e re në detyrë, por duhet ta dini mirë, zonja ministre, se institucionet publike dhe përgjegjësia e tyre nuk nis me fillimin e marrjes së detyrës nga ana e titullarit. Ndërrimi i ministrave nuk duhet të jetë justifikim për t’ju shmangur përgjegjësive. Shqiptarët nuk mund të presin premtimin e rradhës, por nga një fytyrë e re, as me justifikimet po të njëjtat gjithmonë, ato të vjetrat.
Tani ata e kanë kuptuar që shkaktari i vërtetë i situatës skandaloze në shëndetësi, më shumë se vetë ministrat, është vetë Edi Rama dhe modeli i tij korruptiv e. Si mjeke duhet të lini një anë politikën dhe t’ua thoni të vërtetat në sy shqiptarëve ashtu siç janë, dhe jo ashtu siç ju kanë thënë t’i përcillni . Sidomos atyre pacientëve që luftojnë çdo ditë për jetën
Zonja ministre, ju nuk na parashtruat asgjë të re mbi atë që çka tashmë e dimë. Madje e shpërndatë edhe më shumë atë tymnajën e ngritur nga shefi juaj (2:58). Korrupsioni nuk luftohet me ndryshime emërtimesh. Nuk luftohet duke ndërruar emrat e ministrave. Nuk luftohet as duke thënë se ‘nuk jam në dijeni se çfarë bëjnë varësit e mi apo paraardhësit e mi mbas shpinës’
Kjo mazhorancë nuk ka as moralin, as vullnetin dhe as dëshirën për ta çrrënjosur korrupsionin në shëndetësi. Përkundrazi, ju po e thelloni akoma më shumë korrupsionin në shëndetësi. Po replikoni modelin Kajo edhe në shëndetësi dhe kjo tashmë është mëse e qartë.
Me vendimin e Këshillit të Ministrave numër 629, datë 30.07.2026, për disa shtesa dhe ndryshime në vendimin numër 845, datë 30.12.2025 të Këshillit të Ministrave për krijimin e shoqërisë aksionare ‘Operatori i Shërbimit të Integruar të Sterilizimit’ SHA. Në pikën një të këtij vendimi u ndryshua emërtimi dhe fusha e veprimtarisë së kësaj shoqërie, duke e shndërruar në ‘Operatori i Shërbimeve të Integruara Shëndetësore’ SHA. Nëpërmjet këtij vendimi, përveç shërbimit të integruar të sterilizimit, në fushën e veprimtarisë së operatorit u përfshinë edhe kontrolli mjekësor bazë (i njohur si check-up), si dhe shërbimi i hemodializës.
Mjafton të shohim në faqet e Agjencisë së Prokurimit Publik se nga data e publikimit të kësaj VKM-je me 30 korrik e deri më sot, janë shpallur 12 njoftime për tendera me një vlerë prej 105 milion euro në vetëm gjashtë javë. Shikojeni se i keni aty, dhe sa dhjetëra apo qindra milionë euro të tjera pritet të tenderohen nga një autoritet i cili edhe në faqen zyrtare të Agjencisë së Prokurimit Publik nuk e ka të reflektuar ende ndryshimin e emërtimit, duke mbetur ende ‘Operatori i Shërbimit të Integruar të Sterilizimit’
Një element i vogël ky, që duket si gabim drejtshkrimor, por që tregon se sa të gatshëm janë për të gllabëruar në një dorë të vetme, me nxitim e sipër, më shumë se 105 milion euro në vetëm pak kohë…”














