Policia e Tiranës ka arrestuar një 34-vjeçar, i dyshuar si autor i 16 vjedhjeve të kryera në kryeqytet gjatë muajve gusht dhe shtator 2026. Sipas njoftimit të policisë, në pranga ka rënë shtetasi E. Gj., 34 vjeç.
Policia bën me dije se ky shtetas dyshohet se gjatë kësaj periudhe ka kryer vjedhje me thyerje, duke marrë shuma parash dhe produkte të ndryshme në 16 lokale në zona të ndryshme të Tiranës.
Konkretisht, 8 prej vjedhjeve dyshohet se janë kryer në territorin në juridiksionin e Komisariatit të Policisë Nr. 2, 4 në territorin e Komisariatit Nr. 3, 2 në territorin e Komisariatit Nr. 1 dhe 2 në territorin e Komisariatit Nr. 4.
Nga verifikimet e mëtejshme të kryera nga policia, rezultoi gjithashtu se 34-vjeçari ishte me masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, për veprën penale “Vjedhja”.
Njoftimi i Policisë:
Tiranë/Finalizohet operacioni i koduar “Broken Door”.
Arrestohet nga shërbimet e Komisariatit Nr. 1, autori i vjedhjeve me thyerje, në 16 lokale në kryeqytet, gjatë muajve gusht dhe shtator.
I arrestuari ishte me masë sigurie “Arrest në shtëpi”, për të njëjtin krim.
Si rezultat i veprimeve hetimore të kryera në bazë të kallëzimeve nga administratorë lokalesh në zona të ndryshme të kryeqytetit, për vjedhje me thyerje në subjekte, të produkteve dhe shuma të parave, shërbimet e komisariateve të Policisë Nr. 1, Nr. 2, Nr. 3 dhe Nr. 4 finalizuan operacionin e koduar “Broken Door”, gjatë të cilit u ndalua nga shërbimet e Komisariatit Nr. 1, autori i dyshuar i 16 prej këtyre rasteve, shtetasi E. Gj., 34 vjeç.
Nga këto veprime dyshohet se i ndaluari, gjatë periudhës gusht-shtator 2026, ka vjedhur me thyerje, shuma parash dhe produkte, në 8 lokale në territorin në juridiksionin e Komisariatit Nr. 2, në 4 lokale në territorin në juridiksionin e Komisariatit Nr. 3, në 2 lokale në territorin në juridiksionin e Komisariatit Nr. 1 dhe në 2 lokale në territorin në juridiksionin e Komisariatit Nr. 4.
Nga verifikimet e mëtejshme rezultoi se 34-vjeçari ishte me masë sigurie “Arrest në shtëpi”, për veprën penale “Vjedhja”.
Hetimet vijojnë për të zbardhur dhe dokumentuar plotësisht, veprimtarinë kriminale të shtetasit E. Gj., në fushën e vjedhjeve.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
