Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka deklaruar se anëtarësimi në Bashkimin Evropian nuk është më një nga prioritetet kryesore të Ankarasë, megjithëse vendi nuk e ka mbyllur derën për një anëtarësim të mundshëm në të ardhmen.
Në një intervistë për “Al Jazeera”, Erdogan foli për marrëdhëniet mes Turqisë dhe Bashkimit Evropian, si dhe për procesin e gjatë të integrimit të vendit në union.
Presidenti turk kritikoi qasjen e Brukselit ndaj Ankarasë, duke theksuar se Turqia ka pritur prej dekadash për anëtarësimin në BE.
“Evropa nuk e ka integruar Turqinë për 53 vjet dhe nuk planifikon ta bëjë këtë që tani e tutje. Ne nuk e mbyllëm derën”, deklaroi Erdogan.

Duke folur për të ardhmen e marrëdhënieve me BE-në, ai tha se Ankaraja vazhdon ta konsiderojë anëtarësimin si një mundësi, por nuk po ushtron më të njëjtin presion për t’u pranuar në union.
“Ne po mendojmë të bashkohemi me Bashkimin Evropian. Nëse na pranojnë, kjo është në rregull, nëse nuk na pranojnë, kjo është gjithashtu në rregull”, u shpreh presidenti turk.
Erdogan nënvizoi se anëtarësimi në Bashkimin Evropian nuk është më në krye të axhendës së Turqisë, duke përcjellë një mesazh të drejtpërdrejtë për Brukselin.
“Prioriteti ynë nuk është Bashkimi Evropian. Ne vazhdimisht u themi atyre se ata do të jenë ata që do të humbasin, jo Turqia”, tha Erdogan.
Deklaratat vijnë në një kohë kur procesi i anëtarësimit të Turqisë në BE vijon të mbetet i ngrirë, pas një procesi që ka zgjatur prej dekadash.


