Një gabim në përllogaritjen e ditëve të burgut ka bërë që një person i dënuar të qëndrojë në qeli përtej afatit ligjor. Pas zbulimit të kësaj shkeljeje të rëndë disiplinore, Inspektori i Lartë i Drejtësisë (ILD) ka kërkuar zyrtarisht sanksione të rrepta financiare ndaj prokurores së çështjes në Berat, magjistrates A.P.
ILD i ka propozuar Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP) që ndaj magjistrates të vendoset masa “Ulje e përkohshme e pagës deri në 40 për qind, për një periudhë jo më të gjatë se një vit”.
Hetimi disiplinor ndaj prokurores nisi pas një ankesë zyrtare të dorëzuar nga Avokati i Popullit. Sipas raportit të ILD-së, prokurorja e ekzekutimit ka kryer veprime dhe mosveprime të përsëritura e të pajustifikuara lidhur me përllogaritjen e kohës së vuajtjes së dënimit dhe bashkimin e dënimeve për një të burgosur.
Sipas inspektimit, magjistratja ka shfaqur neglizhencë të vazhdueshme, nuk kreu veprimet e nevojshme procedurale edhe pasi kishte marrë dijeni zyrtare për dokumentacionin e ekstradimit dhe periudhën e paraburgimit që i dënuari kishte vuajtur në Greqi. Por gabimi nuk u rregullua prej saj deri në momentin kur ndërhyri Avokati i Popullit.
Në argumentimin e saj, ILD thekson se kjo sjellje ka cenuar direkt të drejtën themelore të lirisë personale të individit. Për më tepër, institucioni paralajmëron se raste të tilla përbëjnë një “rrezik sistemik” për drejtësinë, pasi mund të përsëriten nëse nuk ndëshkohen.
Gjithsesi, në raport janë marrë parasysh edhe disa faktorë lehtësues që shmangën shkarkimin e saj nga detyra. ILD konstatoi se shkelja erdhi nga pakujdesia dhe pa qëllim keqdashës, ndërsa prokurorja ka një performancë të vlerësuar maksimalisht në të kaluarën dhe ka treguar gatishmëri për të bashkëpunuar plotësisht me hetuesit.


