Teksa sot protesta futet në ditën e 110-të, duket se mes organizatorëve sërish ka pasur përplasje. Fillimisht ishte gazetarja Flora Xhemani, e cila, në një postim në Facebook, ka shprehur pakënaqësinë sesi protesta po mbahet ditët e fundit. Sipas gazetares, protesta është ashtu siç e do kryeministri Edi Rama dhe kryedemokrati Sali Berisha.
“Si asht protesta sot, patër?
Njashtu si e don Edi Rama dhe Sali Berisha”, shkruan gazetarja në Facebook.
Por ky status nuk i ka pëlqyer aktivistit dhe një prej organizatorëve, Arben Kolës, i cili ka ironizuar gazetaren, për të cilën shkruan se ka kërkuar përshkallëzim, por vetë nuk e lë punën.
“Ku jane ata që kërkojn përshkallzim? Apo nuk e lejnë dot punën!”, shkruan në koment Kola.
Ndërsa menjëherë ka ardhur reagimi i Xhemanit, e cila po ashtu ka ironizuar aktivistin me fjalët: "ata që kërkojnë përshkallëzim janë aty. Halli është të tjerët që u demoralizuan nga fjalimet.”.
Po ashtu, në një tjetër koment, gazetarja shkruan se qeveria e Ramës nuk bie me fjalime dhe fton protestuesit që të mos dalin më dhe të shkojnë në shtëpi.
“atëhere e lemë dhe shkojmë në shpi. E morëm vesh që Rama me fjalime nuk bie, me parada nuk bie, me “Parlament” nuk bie. Ne luftë nuk bëjmë. Ikim në shpi atëherë, për çfarë dalim?
Ai burri mençur ka thënë që është çmenduri të kërkosh rezultate të ndryshme duke bërë të njëjtat gjëra. A bie dakord me mua?”, vijon më tej gazetarja.
