Pas aktgjykimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë ndaj ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kanë vijuar reagimet nga figura të njohura publike.
Një prej tyre është Richard Grenell, ish-i dërguari i SHBA-së për dialogun Kosovë-Serbi, i cili ka rishpërndarë në “Instagram Story” një fotografi të këngëtares shqiptare Bleona Qereti.
Në fotografinë, e publikuar fillimisht nga vetë këngëtarja, Bleona Qereti shfaqet e veshur me një bluzë ku shkruhet “I love Hashim Thaçi”, duke shprehur publikisht mbështetjen e saj për ish-presidentin e Kosovës.
Grenell e ka ripostuar fotografinë në llogarinë e tij në “Instagram”, në një kohë kur vendimi i Hagës ka shkaktuar reagime të shumta në Kosovë, Shqipëri dhe diasporë.
Bleona Qereti, e cila prej vitesh jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është shprehur edhe më herët në mbështetje të ish-drejtuesve të UÇK-së gjatë procesit gjyqësor në Hagë. Pas shpalljes së aktgjykimit, ajo ka vijuar të publikojë mesazhe në mbështetje të Hashim Thaçit dhe Kosovës.

Në aktgjykimin e shpallur në Hagë, Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burgim, Kadri Veseli me 18 vjet, ndërsa Rexhep Selimi me 13 vjet burgim.
Në total, dënimet ndaj katër ish-drejtuesve të UÇK-së arrijnë në 81 vite burgim.


