Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, ka publikuar një video ku shihen dy qëndrime të kreut të PD-së, Sali Berisha, ndaj ish-drejtuesit të UÇK-së dhe ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi. Berisha, ditën e djeshme, deklaroi se ish-krerët e UÇK-së bënë gjithçka për çlirimin e Kosovës.
“Këta bënë çdo gjë për çlirimin e Kosovës”, deklaroi Berisha dje nga selia e PD-së, pas vendimit të Dhomave të Specializuara në Hagë.Por duket se kryedemokrati nuk ka pasur të njëjtin qëndrim ndaj ish-presidentit të Kosovës.
Në vitin 2019, në kulmin e përplasjeve mes tyre, Sali Berisha nuk i ka kursyer akuzat e forta ndaj Thaçit, për të cilin tha se është “argat” i serbëve dhe se qëndron pas ekzekutimit të 200 anëtarëve të LDK-së pas luftës. Pikërisht kjo ishte një ndër akuzat për të cilat, ditën e djeshme, u dënuan 4 ish-liderët e UÇK-së.
“Hashim Thaçi, e kam thënë dhe e them, është një peng i dosjes së tij të Beogradit. Janë 200 drejtues dhe anëtarë të LDK-së të ekzekutuar pas lufte. Argati mbrapa, pasi kishte kaluar ligj dhe çdo gjë, donte ta anulonte, gjë që s’bëhet kurrë. Veprim zuzar. Prandaj nuk i them unë, por ia thotë vetes ai që është argat. Dhe si mund të dal unë? A nuk iu tha shqiptarëve për një vit rresht që ky është plani im dhe nuk është i Serbisë së Madhe dhe tallej Daçiçi me të? A nuk i tha Vuçiçi: ‘Mbylle gojën, mos fol’, kur e pyeti dikush?”, deklaronte Berisha në vitin 2019.
Ndërsa Balla ironizon me fjalët: “O Zot, kur flet ky për Hashim Thaçin!”.
