E ftuar në edicionin e pasdites në Syri TV, diplomatja Edith Harxhi ka komentuar vendimin për dënimin e katër ish-drejtuesve të UÇK-së, duke e cilësuar masën prej 81 vitesh burg si të lartë, joproporcionale dhe të pajustifikueshme.
Harxhi deklaroi se një dënim i tillë nuk ishte pritur dhe solli si argument edhe faktin se, sipas saj, as dënimet e Nurembergut nuk kanë qenë kaq drakonike.
Ajo tha se vendimi është veçanërisht problematik për një luftë që ka ndodhur më pak se 30 vite më parë.
Harxhi e lidhi qëndrimin e saj edhe me përvojën në Kosovë dhe me angazhimin e saj diplomatik në analizimin e raportit të Dick Martit.
Ajo theksoi se gjatë punës në Misionin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë është marrë me dokumentimin e krimeve të luftës, duke përmendur vrasjet, përdhunimet dhe shfarosjen e shqiptarëve nga forcat serbe.
Sipas Harxhit, historia e Kosovës duhet parë në kontekstin e asaj që ajo e cilëson si “gjenocid ciklik” ndaj shqiptarëve në Kosovë dhe në Ballkan.
Pjesë nga intervista:
Ajo çfarë unë kam mësuar gjatë jetës sime në Kosovë në lidhje me UÇK-në, por edhe me historinë e Kosovës dhe të mbarë shqiptarisë, së pari nga Prishtina të njëjtën kohë. Natyrisht, dje ka qenë një ditë dramatike, askush nuk e priste dënimin aq të lartë, nuk priste një dënim joproporcional, mbi të gjitha dhe për mua i paarsyeshëm. E them këtë për arsye sepse s’e vura re dje një disproporcion të dënimit në lidhje me diçka që ka ndodhur këto vite me gjykatat e posaçme, madje dënimi i famshëm i Nurembergut nuk ka qenë kaq drakonik sa ky i djeshmi, sidomos për një luftë që ka ndodhur më pak se 30 vite më parë, kështu që për këtë arsye mendoj se çfarëdo ka qenë mendimi i djeshëm, 81 vite burg për 4 udhëheqësit e UÇK-së mendoj që ai është i pajustifikueshëm në asnjë moment, jo vetëm nga shqiptarët, por edhe nga njerëz të cilët kanë punuar edhe në Kosovë.
Do doja të kisha pak veshjen time si shqiptare patriote, nacionaliste, nga ajo çfarë do mendoja unë si analiste politike, pavarësisht që është e vështirë ta bëj një gjë të tillë, unë mendoj që prej fillimit të saj në 2012 unë kam qenë në detyrë si zëvendësministre i Punëve të Jashtme, në kohën kur doli raporti i Dick Martit dhe kam mbuluar pikërisht dosjen e tij duke analizuar atë në detaje, duke qenë se kisha punuar në kohë të gjatë në Misionin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë dhe pikërisht një pjesë të kohës sime e kalova në Kosovë duke punuar për dosjet e tmerrshme të gjenocidit serb në Kosovë. Vrasjet, përdhunimet e grave dhe shfarosjen e shqiptarëve në atë periudhë, megjithëse unë e quaj gjenocid ciklik, Kosova ka kaluar gjenocide të tilla, ashtu si kanë kaluar dhe shqiptarët në Ballkan.
© SYRI.net