Pagat e magjistratëve/ Shoqata Evropiane e Gjyqtarëve: Kuvendi po përpiqet të anashkalojë vendimin e Kushtetueses

Shoqata Evropiane e Gjyqtarëve (EAJ), pjesë e Shoqatës Ndërkombëtare të Gjyqtarëve, ka shprehur shqetësim të thellë për zhvillimet e fundit në Shqipëri lidhur me pagat e gjyqtarëve, prokurorëve dhe punonjësve të sistemit gjyqësor.
Në një reagim, EAJ i referohet Gjykatës Kushtetuese, e cila ka shpallur antikushtetues sistemin ekzistues të pagave dhe i ka kërkuar Kuvendit të ndryshojë dispozitat përkatëse në përputhje me udhëzimet e saj.
Sipas Shoqatës Evropiane të Gjyqtarëve, këto udhëzime nuk janë zbatuar, ndërsa në Kuvend është paraqitur një projektligj që parashikon rillogaritjen retroaktive të pagave.
EAJ pretendon se, nëse miratohet, projektligji do të anashkalonte rregullimin që buron nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese dhe do të vendoste një metodë llogaritjeje që, sipas saj, është problematike.
NJOFTIMI:
Shoqata Evropiane e Gjyqtarëve (EAJ), pjesë e Shoqatës Ndërkombëtare të Gjyqtarëve, shpreh shqetësim të thellë lidhur me zhvillimet në Shqipëri.
Gjykata Kushtetuese, në Vendimin e saj nr. 15/2026, e ka shpallur antikushtetues sistemin ekzistues të pagave për gjyqtarët, prokurorët dhe punonjësit e tjerë të sistemit gjyqësor dhe i ka kërkuar Kuvendit të ndryshojë dispozitat përkatëse në përputhje me udhëzimet e saj, brenda një afati të përcaktuar. Gjykata ka përcaktuar gjithashtu se cilat dispozita duhet të zbatohen në rast se ligjvënësi nuk vepron.
Jo vetëm që këto udhëzime janë shpërfillur, por në Kuvend është paraqitur edhe një projektligj që parashikon rillogaritjen në mënyrë retroaktive të pagave në fjalë, sipas shumës së përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese.
Nëse ky projektligj miratohet, ai jo vetëm do të shfuqizonte rregullimin që rrjedh drejtpërdrejt nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese, por do të vendoste në mënyrë retroaktive edhe një metodë llogaritjeje që duket po aq problematike sa ajo që Gjykata e ka shpallur antikushtetuese.
Me pak fjalë, ligjvënësi po përpiqet të anashkalojë zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
Zbatimi efektiv i vendimeve gjyqësore, i cili buron nga karakteri i tyre detyrues, është një element themelor i shtetit të së drejtës. Vetë koncepti i një gjykate të pavarur, i përcaktuar në nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, nënkupton që një gjykatë ka autoritetin të japë një vendim detyrues, i cili nuk mund t’i nënshtrohet ndryshimit, miratimit apo ratifikimit nga ndonjë autoritet jogjyqësor.
Sa i përket në mënyrë të veçantë zbatimit të vendimeve të gjykatave kushtetuese, karakteri i tyre përfundimtar dhe detyrues buron nga supremacia e Kushtetutës. Këto vendime duhet të respektohen nga të gjitha autoritetet publike dhe individët. Mosrespektimi i një vendimi të gjykatës kushtetuese është i barasvlershëm me shkeljen e vetë Kushtetutës.
Nga kjo perspektivë, zhvillimet e përmendura më sipër cenojnë shtetin e së drejtës, pavarësinë e gjyqësorit dhe ndarjen e pushteteve. Ato gjithashtu dëmtojnë besimin te shteti dhe reformat pozitive të sistemit gjyqësor në Shqipëri, të cilat janë arritur deri tani me përpjekje të mëdha.
Bordi i EAJ shpreson, për këtë arsye, që ky regres i propozuar të mund të parandalohet. Ai do të mbështesë anëtarin e tij, Shoqatën e Gjyqtarëve të Shqipërisë, në përpjekjet e saj për ta ngritur këtë çështje në nivelin më të lartë. Çështja do të vendoset në axhendën e Asamblesë së Përgjithshme, e cila do të zhvillohet në tetor në Lisbonë, si dhe do të informohen aktorët përkatës ndërkombëtarë dhe evropianë për situatën shqetësuese në Shqipëri.




