
Gjykata ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg” për Bledar Bakajn, dajën e deputetes së Partisë Socialiste, Zegjine Çaushi.
52-vjeçari akuzohet se ka shkelur urdhrin e mbrojtjes dhe ka shkuar në banesën e Merita Gremajt, ku dyshohet se ka plagosur me drapër babain e saj.
Ndërkohë, në një lidhje të drejtpërdrejtë me emisionin “Shqipëria Live”, Merita Gremaj ka folur për marrëdhënien me Bakajn dhe ka kundërshtuar deklaratën e deputetes Zegjine Çaushi, e cila kishte publikuar një fotografi duke pretenduar se 34-vjeçarja do të martohej me dajën e saj.
Gremaj tha se fotografia është bërë në muajin qershor, kur ajo kishte shkuar në Fier për të blerë rroba, ndërsa mohoi kategorikisht se kishte plan të martohej me Bakajn.
“Unë me atë, kurrën e kurrës. Si mund të merrem me një njeri që më dhunon, kërcënon, më keqtrajton”, deklaroi ajo.
Sipas Gremajt, rrobat në fotografi ia kishte dhënë vajza e një gruaje të quajtur Nazmie, ndërsa fotografia, sipas saj, ishte bërë në një situatë ku Bakaj e kërcënonte.
E pyetur nëse i kishte thënë deputetes Çaushi se do të martohej me Bakajn, Gremaj u përgjigj: “Jo, unë e kam nxjerrë jashtë.” Ajo shtoi se Bakaj kishte dashur ta ndihmonte për një punë dhe se ishte diskutuar mundësia që ajo të punonte në Roskovec.
Gremaj foli edhe për kërcënimet që, sipas saj, kishte marrë ndër vite.
“Thoshte: ti po tregove, do të të heq një këmbë dhe krah, do të bëj të vuash. E ka thënë edhe në komisariat”, tha ajo.
Ajo pretendoi se dhuna kishte qenë e vazhdueshme, ndërsa dy ditët e fundit para largimit të saj nga banesa, sipas saj, Bakaj nuk e kishte dhunuar, pasi ajo ishte kthyer te familja për të kërkuar ndihmë.
Në lidhje me reagimin e institucioneve pas denoncimit, Gremaj tha: “Më thanë ‘pse nuk erdhe më parë?’. Po nuk kisha shanse.”
Ajo deklaroi gjithashtu se ka dorëzuar prova në polici dhe se ka një telefon tjetër ku, sipas saj, janë ruajtur materiale që lidhen me kërcënimet.
Sa i përket deputetes Zegjine Çaushi, Gremaj tha se nuk ka pasur kontakte me të pas denoncimit.
“Erdhi bashkë me babain e saj dhe solli vetëm rroba. S’kam kontakte, s’më ka marrë, asnjë takim”, u shpreh ajo.
Në fund, Gremaj tregoi se edhe të afërm të Bledar Bakajt i kanë kërkuar të tërheqë denoncimin.
“Më kanë thënë të heq denoncimin se ka fëmijë. Nuk mundem se jam e kërcënuar dhe e dhunuar. Po tani që babai im ndodhet në shtrat, çfarë të bëj? Unë dhe nëna jemi si mos më keq”, deklaroi ajo./Versus.al

