AKTUALITET /

Alket Rizai i zhdukur prej 4 ditësh, autoritetet greke në ndjekje të tij. Dyshojnë se mund të jetë fshehur në Shqipëri!

Autoritetet greke dyshojnë se prej andej ai mund të ketë kaluar ilegalisht në Shqipëri, por kjo pistë ende nuk është konfirmuar.

Shkruar nga Versus

Alket Rizai i zhdukur prej 4 ditësh, autoritetet greke në ndjekje

Autoritetet greke vijojnë prej katër ditësh kërkimet për Alket Rizain, i cili nuk u rikthye në burgun e Domokosit pas përfundimit të lejes së tij.

Rizai kishte marrë leje shpërblyese më 7 shtator dhe duhej të paraqitej sërish në burg mëngjesin e 14 shtatorit. Pas mosparaqitjes, ai u shpall zyrtarisht i arratisur.

Sipas mediave greke, që prej vitit 2021, Rizai ka përfituar gjithsej 16 leje për të dalë nga burgu.

Gjatë lejes së fundit, ai dyshohet se u përfshi në një incident të armatosur jashtë një lokali plazhi në Saronida, ku dy persona mbetën të plagosur. Që prej asaj dite, autoritetet nuk kanë mundur të përcaktojnë vendndodhjen e tij.

Një grup oficerësh policie po vijon kërkimet për gjetjen e Rizait, ndërsa mendohet se mund të jetë larguar drejt Shqipërisë.

Sipas informacioneve të raportuara në Policinë Greke, gjurma e fundit e Rizait ndodhet në Greqinë e Veriut. Autoritetet dyshojnë se prej andej ai mund të ketë kaluar ilegalisht në Shqipëri, por kjo pistë ende nuk është konfirmuar.

Rizai, i njohur për lidhjen e tij me të shumëkërkuarin grek Vasilis Paleokostas, përballet tashmë edhe me një akuzë të re, ndërsa lirimi i tij nga burgu ishte pranë.

Paralelisht, policia greke po kërkon edhe një shtetas afgan, i dyshuar si personi që qëlloi dhe plagosi dy qytetarët gjatë konfliktit në Saronida. Sipas raportimeve, ai dyshohet se ka lidhje me biznesin pranë të cilit ndodhi incidenti./Versus.al

Poll