E enjte, 17 Shtator 2026 Përrallë në Ishull deri në 18:00 Në vijim ora 18:00: Trashëgimtari Halef Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Politikë

Muçi: Nuk keni bërë asgjë për Kosovën. Balla: Momenti për t’u thënë votuesve, mos sillni kalamaj në Kuvend

Ilustrim · Vizion Plus

“Ratifikimi i marrëveshjes për njohjen e dëmeve ndaj Ukrainës” ishte një tjetër pikë e rendit të ditës, e cila solli një debat të ashpër mes deputetit të Lëvizjes Bashkë, Redi Muçi, dhe kreut të grupit parlamentar socialist, Taulant Balla.

Në fjalën e tij, Muçi akuzoi socialistët për hipokrizi dhe servilizëm, ndërsa sjellin në Kuvend një marrëveshje për njohjen e dëmeve ndaj Ukrainës, e cila po përballet me një luftë me Rusinë, dhe nga ana tjetër nuk kanë bërë asgjë për njohjen e dëmeve që gjenocidi serb bëri në Kosovë.

“Ndryshe nga konflikti ruso-ukrainas, ku kemi të bëjmë me luftime frontale, kur flasim për dëmin ndaj Kosovës, flasim për një ushtri fashiste. Kur do t’i vijë radha popullit të Kosovës që të dëmshpërblehet moralisht e më pas financiarisht? Çfarë roli ka luajtur populli shqiptar? Si mundet që kjo qeveri të kërkojë njohjen e gjenocidit serb, kur keni qenë ju, deputetët e PS-së, që keni rrëzuar propozimin për njohjen e gjenocidit serb? Me çfarë fytyre Rama kundërshton vendimin e Prokurorisë Speciale, ku, me delirin e madhështisë, i hipi helikopterit dhe loboi për Gjykatën Speciale? Gjykata Speciale njollosi sakrificën e Kosovës për liri. Duhet t’i themi të vërtetat në sy. E vërteta na bën të lirë. Ku ndodhet e drejta ndërkombëtare, ku duhet ta kërkojmë? Mos ishte vendimi i Hagës një vendim politik? A i shërben Evropës për të afruar Serbinë? Ku duhet ta kërkojmë të vërtetën? Çfarë qëndrimi kanë mbajtur për gjenocidin izraelit ndaj popullit të Palestinës?”, tha Muçi.

Por, në reagimin e tij, Taulant Balla tha se deklarata të tilla në këtë moment kaq të rëndë të shqiptarisë, duke iu referuar vendimit të djeshëm të Gjykatës Speciale, janë një rast për t’u thënë votuesve të mos sjellin më kalamaj në Kuvend.

“Je deputet i ri dhe, kur vjen në Kuvend, vjen me fjalime të përgatitura që kanë shkruar të tjerët. Je rasti unik që do ta bësh mandatin përgjysmë, pasi vitin tjetër do të vijë zëvendësuesi. Thuaji Qorrit që, kur të shkruan fjalimet, të t’i shkruajë tamam. Ishe këtu ti, kur miratuam një qëndrim të përbashkët në Konferencë të përbashkët, ku pa asnjë mëdyshje denoncohet nga Kuvendi i Shqipërisë gjenocidi dhe çdo akt gjenocidal ndaj atyre masakrave të popullit shqiptar në Kosovë. Kur kalamaj si puna jote vijnë këtu dhe, pa asnjë të drejtë, përdorin një ngjarje në një moment kaq të vështirë për shqiptarët, ky është rasti tipik për t’u thënë votuesve: mos sillni më kalamaj në sallë”, tha Balla.

Xhuljana Zhuleku
Gazetar/e · Vizion Plus · Redaksia e Vizion Plus.
Të gjithë artikujt

Vazhdo të lexosh

Lini një koment

Me respekt — komentet moderohen nga redaksia.
Nuk publikohet kurrë.