web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Vendimi i Gjykatës Speciale/ Kurti takim me kreun e PDK-së, Hamza

17 Shtator 2026, 17:51, Kosova & Bota CNA

Vendimi i Gjykatës Speciale/ Kurti takim me kreun e PDK-së, Hamza

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar me udhëheqësin e Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, me të cilin ka biseduar për mënyrat që duhen ndjekur “për të korrigjuar” aktgjykimin dënues ndaj katër ish-eprorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të shpallur nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Më 16 shtator, Hashim Thaçi, ish-president i Kosovës, dhe Jakup Krasniqi, ish-kryetar i Kuvendit të Kosovës, u dënuan me nga 25 vjet burgim. Kadri Veseli, po ashtu ish-kryetar i Kuvendit, u dënua me 18 vjet burgim, ndërsa Rexhep Selimi, ish-deputet, me 13 vjet.

“Duke e vlerësuar aktgjykimin të padrejtë, të rëndë dhe me pasoja të gjera, kryeministri Kurti theksoi se ai duhet ndryshuar pozitivisht në shkallën e apelit. Kurti e Hamza ndanë mendimet dhe përshtypjet e tyre si dhe diskutuan se cilat do të ishin rrugët e mënyrat që duhet ndjekur përpara për të korrigjuar vendimin e djeshëm”, u tha në njoftimin e Qeverisë së Kosovës.

Ekipet mbrojtëse të katërshes së UÇK-së kanë paralajmëruar se do ta apelojnë vendimin e shkallës së parë.

Takimi mes Kurtit dhe Hamzës vjen disa orë pasi strukturat udhëheqëse të PDK-së u takuan dhe Hamza tha më pas për mediat se beson se do të takohet me të gjithë udhëheqësit e subjekteve politike, duke argumentuar se aktgjykimi i shpallur nga Dhomat e Specilizuara të Kosovës në Hagë nuk është një çështje “që i takon vetëm një subjekti politik”.

“Besoj në bashkëpunimin mes partive politike, dhe në arritjen e konsensusit të nevojshëm”, deklaroi ai më herët gjatë 17 shtatorit.

Hamza u pyet edhe për mundësinë e ndonjë nisme për zhbërjen e Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar të Kosovës në Hagë, që njihen si Gjykata Speciale.

“PDK-ja i ka nënshkrimet e gatshme, varësisht prej nevojave ne do të procedojmë. Nuk po flasim për zhbërjen e Gjykatës Speciale, po flasim për përshtatje me një situatë të re. Nuk po i ikim obligimit që e kemi marrë që Gjykata t’i hetojë, t’i prezantojë e faktojë të gjitha gjetjet e raportit të Dick Martyt për çka edhe është krijuar Gjykata”, deklaroi ai.

Hamza ka deklaruar pas vendimit të Gjykatës Speciale se PDK-ja do të përdorë të gjitha mjetet e nevojshme ligjore dhe demokratike për të kundërshtuar vendimin ndaj katërshes së UÇK-së.

Të katër ish-eprorët e UÇK-së u shpallën fajtorë për katër akuzat për krime lufte: arrestim dhe ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme.

Ata u liruan nga gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit.

Gjykata Speciale u themelua më 2015 nga Kuvendi i Kosovës dhe është gjykatë brenda sistemit gjyqësor të Kosovës, por vepron me personel ndërkombëtar në Holandë.

Ajo heton krimet e pretenduara të pjesëtarëve të UÇK-së, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000./REL





Lajmet e fundit nga