Nga Andi Bushati
Përtej lotëve, ofshamave qurravitjeve, mallkimeve që shpërthyen gati-gati me intensitetin e neveritshëm të një protagonizmi të pavend, porsa në Hagë u shpall një dënim sa i padrejtë po aq dhe i ekzagjeruar ndaj ish drejtuesve të UÇK-së, kjo dramë që përgatitet prej më shumë se një dekade mund të na shërbejë edhe për një mësim.
Gjeneza e saj më shumë sesa tek Serbia apo Rusia, që i mallkojmë kollaj; më shumë sesa tek viktimat e rugoviste apo ata afro 200 shqiptarë ‘bukëshkalë’, që pranuan të dëshmojnë në proces; më shumë sesa tek instrumentalizimi i prokurorëve apo gjykatësve specialë, që u treguan edhe më të rreptë se paraardhësit e tyre në Nuremberg; pra më shumë se tek faktorë periferikë të këtij procesi duhet kërkuar brenda një mentaliteti mbizotërues në shoqërinë tonë.
Ajo është pasojë e servilizmit ekstrem që ne kemi kultivuar ndaj asaj që na diktohet prej SHBA-ve dhe aleatëve të tjerë perendimorë.
Për të kuptuar këtë duhet ta kthejmë filmin në vitet 2011-2015, pra në atë kohë kur nuk qemë në gjendeje të ndërmerrnim hapat e duhur kundër raportit të Dik Martit në Këshillin e Evropës e deri në ditën kur parlamenti i Kosovës votoi për ngritjen e dhomave të specializuara. Të gjithë, pa përjashtim, e dinin se ngritja e këtij organi “sui generis”, që do të jepte vendime në emër të popullit të Kosovës me dosje të servirura nga Serbia, do të përfundonte me vendosjen e një njolle turpi. Mjafton të shikosh sot fjalimet e mbajtura në kuvend, në vitin 2015, qoftë ato të Hashim Thaçit, që bënte thirrje për ngritjen e kësaj gjykate, qoftë ato të Albin Kurtit që shpallte argumentat se përse duhej votuar kundër, për të konkluduar se këta dy liderë ekstremisht të ndryshëm bashkoheshin në një pikë: se kjo ishte një sakrificë me pasoja për të ardhmen e Kosovës dhe për imazhin që do të linte në histori lufta e saj çlirimtare.












