Policia Rrugore e Fierit ka intensifikuar kontrollet në akset rrugore, pikat hyrëse dhe dalëse të qytetit, si dhe në rrugët urbane, interurbane e lokale, duke përdorur pajisje inteligjente për monitorimin e qarkullimit.
Kontrollet janë zhvilluar me synim parandalimin e aksidenteve rrugore, evidentimin e shkeljeve dhe menaxhimin e trafikut.
Sipas Policisë, gjatë javës së fundit janë proceduar penalisht 7 shtetas për shkelje të ndryshme të rregullave të qarkullimit rrugor.
Dy drejtues mjetesh janë arrestuar në flagrancë për shkelje të rregullave të qarkullimit në lidhje me aksidente rrugore, ndërsa 5 drejtues të tjerë janë proceduar për drejtim të mjetit pa leje drejtimi dhe ndiqen në gjendje të lirë.
Gjatë kontrolleve, Policia Rrugore ka vendosur 694 masa administrative për tejkalim të shpejtësisë në rrugët interurbane dhe në autostradën A2.
Gjithashtu, janë vendosur 43 masa për mosvendosjen e rripit të sigurimit, 5 masa për përdorimin e celularit gjatë drejtimit të mjetit dhe 36 masa për parakalim të gabuar.
Kontrollet kanë evidentuar edhe drejtues që kanë qarkulluar nën efektin e alkoolit. Për këto raste janë vendosur 5 masa administrative, ndërsa 7 masa të tjera janë marrë për kryerjen e manovrave të rrezikshme.
Në total, 91 masa administrative janë vendosur për shkelje të tjera të rregullave të qarkullimit rrugor, të cilat Policia i konsideron burim potencial për aksidente.
Në kuadër të këtyre kontrolleve janë sekuestruar edhe 5 motomjete që qarkullonin pa dokumentacionin dhe targat përkatëse.
Policia Rrugore Fier u bën apel drejtuesve të mjeteve dhe të gjithë përdoruesve të rrugës që të respektojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor.
Sipas Policisë, respektimi i rregullave synon rritjen e sigurisë në rrugë, mbrojtjen e jetës dhe shëndetit të qytetarëve, si dhe garantimin e një qarkullimi sa më të sigurt dhe pa pengesa.


