
Kryeministri Edi Rama ka vizituar të mërkurën Malin e Shenjtë në Greqi, pas takimit të zhvilluar në Korçë me qytetarët, ku diskutoi për reformën e re territoriale.
Vizita në Shtetin Athonit është bërë publike nga media greke “Orthodoxia News Agency”, e cila ka publikuar edhe pamje nga qëndrimi i kryeministrit shqiptar në Manastirin e Madh të Vatopedit.
Sipas medias greke, Rama ka vizituar Manastirin e Shenjtë të Madh të Vatopaidit më 16 shtator, i shoqëruar nga djali i tij i madh, Greg Rama, dhe kryebashkiaku i Himarës, Vangjel Tavo.
Kryeministri shqiptar ka mbërritur fillimisht në portin e Dafnës, ku është takuar me Guvernatorin Politik të Malit Athos, Alkiviadis Stefanis. Më pas, delegacioni është drejtuar drejt Manastirit të Madh të Vatopedit, ku Rama është pritur nga igumeni Jerond Efrem Vatopedini.
Sipas raportimit të medias greke, gjatë vizitës Rama ka shfaqur interes dhe admirim për arkitekturën e manastirit, si dhe për pikturat dhe trashëgiminë artistike e shpirtërore të Vatopedit.
Rama mësohet se e ka kaluar natën në Manastirin e Madh të Vatopedit dhe është larguar prej aty mëngjesin e sotëm./Versus.al

