Një ditë pas vendimit të shkallës së parë në Hagë, që dënoi Hashim Thaçin me 25 vite burgim dhe së bashku me Kadri Veselin, Rexhep Selimin e Jakup Krasniqin me gjithsej 81 vite burgim, mbrojtja e ish-presidentit të Kosovës ka bërë të ditur se do ta apelojë aktgjykimin.
Përmes një reagimi të publikuar në rrjetin social X, avokatët e Thaçit shprehen se ai falënderon popullin e Kosovës dhe komunitetin ndërkombëtar për mbështetjen, ndërsa u bën thirrje qytetarëve që të reagojnë në mënyrë paqësore ndaj vendimit.
Mbrojtja njofton se do ta dërgojë çështjen në Panelin e Apelit të Dhomave të Specializuara të Kosovës, duke pretenduar se aktgjykimi përmban “gabime të rëndësishme në ligj dhe në fakte”, të cilat, sipas saj, kanë cenuar drejtësinë e procesit gjyqësor.
Avokatët thonë se gjatë gjithë procesit kanë ngritur shqetësime lidhur me drejtësinë procedurale, veçanërisht për mënyrën dhe shtrirjen e pyetjeve të drejtpërdrejta të bëra nga anëtarët e Panelit të Gjykimit. Sipas tyre, këto ndërhyrje nuk kanë krijuar përshtypjen e paanshmërisë dhe kanë tejkaluar, sipas mbrojtjes, kufirin e kërkimit neutral të së vërtetës.
Mbrojtja kundërshton gjithashtu mënyrën se si Paneli i Gjykimit ka arritur në përfundimet për fajësinë përtej dyshimit të arsyeshëm, duke pretenduar se ato janë mbështetur në prova të pamjaftueshme dhe të pakonfirmuara.
Një nga çështjet e ngritura nga avokatët lidhet me përfundimin e gjykatës për përfshirjen e Thaçit në vrasjen e Behajdin Allaqit.
Sipas mbrojtjes, Paneli i Gjykimit deklaroi në vendimin e 16 shtatorit se Thaçi ishte i përfshirë në vrasjen e Allaqit, ndërkohë që më herët kishte urdhëruar që rasti të mos diskutohej publikisht gjatë seancave dhe që provat lidhur me të të mbaheshin konfidenciale.
Avokatët pretendojnë se kjo situatë ka bërë që përfundimi për përgjegjësinë e Thaçit për këtë vrasje të jetë mbështetur në prova që nuk janë bërë publike gjatë procesit gjyqësor. Sipas tyre, Thaçi do ta mirëpriste një shqyrtim publik të këtyre provave.
“Z. Thaçi mohon shprehimisht çdo përfshirje në vrasje”, thuhet në reagimin e mbrojtjes.
Avokatët deklarojnë se do të apelojnë edhe për pretendimet për shkelje të të drejtave themelore të Thaçit për një gjykim të drejtë, të garantuara, sipas tyre, nga Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe Kushtetuta e Kosovës.
Mbrojtja pritet të dorëzojë zyrtarisht Njoftimin e Apelit pranë Panelit të Apelit, duke kërkuar korrigjimin e atyre që i konsideron gabime faktike, ligjore dhe procedurale në aktgjykimin e shkallës së parë.
Dhomat e Specializuara të Kosovës shpallën më 16 shtator 2026 fajtorë Thaçin, Veselin, Selimin dhe Krasniqin për krime lufte, ndërsa ndaj tyre u dhanë dënime nga 13 deri në 25 vite burgim.


